Prokuroria e Tiranës vijon të jetë mosbesuese ndaj deklarimeve të Valter Bamit, i cili këmbëngul se nuk ka lidhje me ngjarjen në Larushk në atentatin ndaj Gentian Bejtjes, ku mbeti i vrarë kunati i këtij të fundit dhe u plagosën dy djemtë e mitur të tij.
Mësohet se policia ka bërë një kontroll të dytë në banesën e Bamit, por në këtë rast nuk është gjetur hard-disku i kamerave të sigurisë, të cilat do të provonin edhe pretendimet e Bamit se në momentin kur ka ndodhur atentati ka qenë në shtëpi.
Gjithashtu, në kontrollin e dytë nuk është gjetur asnjë armë, duke shtuar dyshimet se përdorimi i armës nga ana e Bamit, e provuar nga shenjat e barutit në dorë, mund të jetë kryer në një largësi të konsiderueshme me banesën. Ndërkohë, avokatët e Bamit pretendojnë se ai kishte leje arme për 3 vite.
Një tjetër pretendim i Bamit për mospërfshirjen në këtë krim është fakti se ai kishte lidhje gjaku me viktimën Ramazan Sino, që ishte kunati i Gentian Bejtjes, i cili dyshohet të jetë vrarë aksidentalisht nga atentatorët, pasi nuk ka qenë shënjestër e sulmit.