Moti i keq godet Italinë, mes viktimave nga përmbytjet ka edhe shqiptarë

Aktualitet

Publikuar: 17/05/2023

Moti i keq godet Italinë, mes viktimave nga përmbytjet ka edhe shqiptarë

Moti i keq ka goditur Italinë dhe situata paraqitet mjaft kritike në disa prej qarqeve të vendit.

Mediat italiane raportojnë se mbi 1000 persona janë evakuuar tashmë për shkak të motit të keq në Emilia-Romagna. Shumica, 528, në zonën e Ravenës; 199 të tjera në provincën e Bolonjës, 164 në zonën Forlivese-Cesenate, 10 në zonën e Modenës dhe tre në zonën e Reggio.

Në Bashkinë e Ravenës, autoritetet u kanë kërkuar tashmë rreth 5000 banorëve të fshatrave më afër lumit Savio që të largohen nëse jetojnë në katet përdhese pasi situata mund të përkeqësohet edhe më shumë në orët në vijim pasi alarmi i kuq është dhënë në Emilia-Romagna.

Lumi Savio ka dalë nga shtrati në Cesena bashkë me lumin Montone në Forlì. Trenat janë ndalur midis Forlit, Rimini dhe Ravenës, ndërsa mbyllja e shkollave është vendosur në Ravenna dhe Bolonja. Sipas qytetarëve, 3 persona kanë humbur jetën dhe mes viktimave është edhe një shqiptar, por kjo ende nuk është konfirmuar nga autoritetet pasi lëvizja nëpër zonat e përmbytura është shumë e vështirë.

Autoritetet u rekomandojnë qytetarëve shmangien e udhëtimeve të panevojshme pasi situata është kritike dhe rrezikojnë jetën e tyre. Qytetarëve u kërkohet që të rrinë larg lumenjve, zonave të përmbytura, të kenë kujdes nga argjinaturat dhe kasollet dhe nëse është e mundur të braktisin katet përdhese.