Një shtëpi është shkrumbuar nga flakët mbrëmjen e kaluar në Rubjekë të Shijakut.
Bashkë me shtëpinë dhe orenditë e saj, janë djegur gjëja e gjallë dhe paratë që familja kishte siguruar për rindërtimin e shtëpisë. Familja Domi, me 7 anëtarë ka mbetur në qiell të hapur pasi zjarri iu shkrumboi gjithçka që ata kishin.
Në momentin që zjarri përfshiu shtëpinë, Vehbi Domi, kryefamijari ndodhej i vetëm brenda. Ai është përpjekur të shpëtojë lopën dhe dhitë që ndodheshin në kasollen pranë, por nuk ia ka dalë dot.
Familja Domi kishte arritur të përfitonte rreth 15,7 milion lekë nga granti i rindërtimit pas tërmetit, por këto para iu shkrumbuan brenda në shtëpi bashkë me sendet e tjera. Burimi i të ardhurave për familjen Domi, ishte shitja e qumështit të lopës, pasuria e vetme që kishin.
Pavarësisht ndërhyrjes së zjarrfikësve, asgjë nuk u shpëtua nga shtëpia. Ndërkohë që vlen të thuhet se janë ende të paqarta shkaqet e zjarrit në shtëpinë e cila ishte e dëmtuar nga tërmeti dhe e mbuluar me llamarina.