30 persona janë arrestuar gjatë një megaoperacioni të autoriteteve italiane në bashkëpunim me SPAK, policinë europiane Eurojust dhe Interpol, për goditjen e një rrjeti të trafikut të drogës nga Shqipëria në Itali.
Hetimet për goditjen e këtij kgrupi kriminal nisën nga Eurojust dhe Europol në vitin 2019. Eurojust organizoi dy takime koordinuese, gjatë të cilave përfaqësues të autoriteteve të përfshira u mblodhën së bashku për të diskutuar rastin, për të shkëmbyer informacione dhe për të rënë dakord për hapat e mëtejshëm.
Mësohet se 350 oficerë të policisë u angazhuan në terren, ndërsa u vunë në pranga 30 persona, identitetet e të cilëve nuk bëhen ende të ditur. Gjatë aksionit u kontrolluan 31 lokacione, u sekuestruan 5 pushkë, 1 pistoletë dhe 6 automjete.
Sipas SPAK, tre shqiptarë të arrestuar ishin drejtues të këtij grupi kriminal që funksiononte kryesisht nga qyteti i Durrësit prej ku droga trafikohej në qytetet italiane të Bergamos, Milanos dhe Torinos.
Mes të arrestuarve janë shtetasit: Branjol Liço, Gernard Beu; Dorian Beu; Syrjan Tola, Igli Lala alias Oltion Lala; Ramazan Grada; Florind Vukaj; Gjergj Zefi, Renato Zefi; Rexhep Dallupi; Alfred Luli; Gjergj Luli; Saimir Prenga; Lorik Prengaj,Fabio Prenga, Francesko Çeçi, Ilir Duro; Lulzim Selimi; Dhimiter Nina; Eliedo Dedej ndersa nen masen e arrestit shtepiak do hetohet Enkeleda Bakalli.
Grupet kriminale akuzohen për trafikun në shkallë të gjerë të kokainës, kanabisit dhe heroinës, kryesisht nga Shqipëria në Itali.
Operacioni i sotëm është pjesë e një hetimi afatgjatë, i cili po ndërmerret bashkërisht nga autoritetet italiane dhe shqiptare dhe ka çuar tashmë në arrestimin e 62 personave dhe sekuestrimin e aseteve me vlerë rreth 1 milion euro (në Itali), si dhe në sekuestrimin e sasive të mëdha të drogës.
Nga pamjet filmike të shpërndara nga autoritetet italiane, duket se disa prej anëtarëve të grupit të trafikimit dhe shpërndarjes së heroinës kanë qenë nën përgjim për një kohë të gjatë. Gjithashtu në video shfaqen pamjet e një sere të madhe me kanabis si dhe sekuestrimi i disa pakove me heroinë dhe kokainë.