Demokratët e Sali Berishës do të zgjedhin sot emrat e kandidatëve zyrtarë për kryebashkiakë.
Në një proces, që sipas statutit quhet ‘Primare’, anëtarësia dhe simpatizantët do të zgjedhin mes disa emrave, ndërsa kandidati me numrin më të madh të votave do të vendoset përballë kandidatëve të PS për 61 bashkitë.
Më interesante përballja është në Tiranë, ku mes 7 kandidatësh, gara mes Belind Këlliçit, Ilir Alimehmetit dhe Gert Bogdanit është më e forta. Në 3 bashkitë e tjera të mëdha, Elbasani, Shkodra dhe Durrësi nuk priten surpriza. Në dy të parat, PD e Berishës kandidon me vetëm 1 emër, Luçiano Boçin dhe Bardh Spahinë, që rrjedhimisht janë kandidatë zyrtarë, ndërsa në Durrës, mes dy kandidatëve, Armand Dervishi i panjohur politikisht, Igli Cara ka mbështetje të gjerë.
Vetëm 1 kandidat, kanë 7 bashki në të gjithë vendin, ku primaret do të jenë thjesht formale. Në bashkinë e Krujës, e vetmja me 11 kandidatë, gara pritet e fortë. Pretendentët kryesore janë Ndriçim Babasi dhe Agron Loka që aktualisht drejton degën e PD. Në këtë bashki, garon në primare edhe kandidati i Partisë së Lirisë Denis Hidri.
Në Bashkinë Kurbin, gara pritet të marrë vëmendje të veçantë, për shkak të konfliktit me armë 5 ditë para mbajtjes së primareve. Nga 7 kandidatë që ishin tashmë kanë mbetur vetëm 5 për shkak se Rithemelimi i përjashtoi 2 që ishin protagonistë në konflikt.
Dy kandidatë të primareve për Bashkinë e Kurbinit Alfred Dajçi dhe Edmond Shkoza janë përjashtuar nga gara e 4 dhjetorit. Numër të lartë kandidatësh kanë edhe Librazhdi me 6 kandidatë, Selenica 6, Dibra 6, Mirdita 6, Lezha 6, Fushë-Arrëzi me 5 kandidatë, e po me 5 edhe Saranda, Tropoja, Fieri, Mati.
Në 4 bashki të tjera, Sali Berisha ju ka dhënë dorë të lirë aleatëve të vegjël minoritarë duke mos i nënshtruar në votim e duke ju lënë të drejtën të zgjedhin vetë kë do të kandidojnë.
Vangjel Dules i vihen në dispozicion bashkitë: Himarë, Finiq e Dropull ku ka përqendrim minoritarësh grekë, ndërsa Pusteci i është rezervuar një partie të minoritetit maqedonas.
Edhe anëtarët dhe simpatizantët e Partisë së Lirsë mund të votojnë këtë të diel, por vetëm në 4 bashki të cilët Berisha ja ka lënë Metës të futë në garë emrat e tij. Ato janë: Kuçova, Skrapari, Përrenjasi dhe Memaliaj.