Dumani dha fakte të tjera, SPAK tërheq nga gjykimi çështjen ndaj Erion Alibejt: Do kryhen hetime! Porositi vrasjet e Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt

Aktualitet

Publikuar: 18/10/2022

Dumani dha fakte të tjera, SPAK tërheq nga gjykimi çështjen ndaj Erion Alibejt: Do kryhen hetime! Porositi vrasjet e Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt

Prej 4 shkurtit të këtij vitit Erion Alibej ishte marrë i pandehur nga Gjykata e Posaçme, e cila pranoi kërkesën e atëhershme të SPAK për ta gjykuar, i akuzuar si pjesëmarrës në grup të strukturuar kriminal dhe si porositësin e vrasjes së Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt. Por kur kanë kaluar më shumë se 8 muaj SPAK ka tërhequr kërkesën duke kërkuar tashmë më shumë kohë për më shumë hetime.

Prokuroria para gjykatës ka deklaruar se nga deklarimet e deritanishme përfshi dhe ato të dëshmitarit të drejtësisë Nuredin Dumani, është e nevojshme të kryhen hetime shtese për Alibejn. Sipas prokurorisë Alibej dyshohet të jetë i peërfshirë në të tjera porosi për vrasje dhe krime vecc asaj të Ramazanit e Runajt. Kërkesa për tërheqjen e kërkesës për gjykim e akteve është bërë nga prokurori i çështjes Behar Dibra, që pas përfundimet të hetimet Erion Alibej të risillet në gjykatë si i pandehur.

Erion Alibej dyshohet të jetë porositësi i vrasjes së efektivit Krenar Guçe, i cili ka mbajtur detyrën e Shefit të Seksionit të vrasjeve në Policinë e Elbasanit në vitet 2019-2020, teksa aktualisht është me detyrë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë si specialist. Fotografia e tij u gjet në telefonin e Nuredin Dumani, i cili në dëshminë e tij ka treguar një listë me emra dhe foto që prisnin të ekzekutoheshin.

Vrasjet e Ramazanit dhe Runajt
Regis Runaj u gjet i masakruar me thikë pranë varrezave të Elbasanit, mbrëmjen e 29 korrikut 2020. Dy autorët dyshohet se kanë konsumuar lëndë narkotike bashkë me viktimën e më pas e kanë goditur me thika. Policia e shtetit tregoi provat që fajësojnë Xhuljano Hoxhën dhe Euglen Halilin për vrasjen e Regis Runaj. Këta dy persona dyshohet se janë përfshirë edhe në ekzekutimin e Emiljano Ramazanit, ngjarje kjo e ndodhur më 20 korrik. Regis Runaj dhe Emiljano Ramazani ishin miq të ngushtë me njëri-tjetrin ndërsa u vranë njëri-pas tjetrit brenda 9 ditësh në Elbasan.
“Truri” i dy vrasjeve që tronditën qytetin e Elbasanit, më 20 dhe 29 korrik ishte 34-vjeçari Erion Alibej! 34-vjeçari ishte organizatori dhe porositësi i vrasjes së Emiljano Ramazanit dhe shokut të tij, Regis Runajt në Elbasan. Uniformat blu bënë arrestimin e tij në 18 shtator të 2020, ndaj të cilit më pas është caktuar edhe masa e sigurisë “Arrest me burg”.