Atentati në Vlorë / Viktimat janë Shpati Lena dhe Hakim Xhezo, lidhja me vrasjen e Arben Beqirajt në 2019

Aktualitet

Publikuar: 18/08/2022

Atentati në Vlorë / Viktimat janë Shpati Lena dhe Hakim Xhezo, lidhja me vrasjen e Arben Beqirajt në 2019

Shpati Lena, 37 vjeç dhe Hakim Xhezo 34 vjeç janë dy viktimat e atentatit të ndodhur këtë të Enjte në Vlorë. Hakim Xhezo është vëllai i Eduart Xhezos, i cili është në burg pasi akuzohet për vrasjen e Arben Beqirajt, ngjarje e ndodhur në Plazhin e Vjetër në Vlorë në gusht të vitit 2019, ku mbetën të plagosur edhe djali dhe një i afërm i viktimës.

Xhezo u arrestua në Durrës disa muaj pas ngjarjes, pasi pikas nga Policia teksa qarkullonte me shpejtësi tej normave të lejuara, nën efektin e lëndëve narkotike, me kartë identiteti të falsifikuar dhe nuk iu bind urdhrit të Policisë për të ndaluar në dy pika kontrolli. I ndjekur nga Forcat Shqiponja dhe ato të Qarkullimit Rrugor, Xhezo u bllokua në vendin e quajtur “Mbikalimi i këmbësorëve” te unaza e Shkozetit.

Për ngjarjen e vitit 2019 ishte arrestuar edhe viktima tjetër Lena, por në mars të këtij viti, Gjykata e kishte lënë me masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje”.

Ndërkohë, Hakim Xhezo ka qenë i akuzuar dhe për trafik droge.

Vrasja

Vrasja ndodhi në gusht të vitit 2019. Grupi i Shpati Lenës vrau Arben Beqirajn pas një sherri për kalin e Eduart Xhezos që hyri në plazh.

Ariel Kingji dhe Shpati Lena akuzohen si autorë të rrahjes së Gazmend Alushit në nëntor të atij viti, sherr i cili solli vrasjen e Arben Beqirajt. Viktima bashkë me miqtë e tij ishin në lokalin e tyre buze detit në Vlorë ndërsa Gazmend Alushi ndodhej aty pranë duke shëtitur me kalin në pronësi të Eduart Xhezos.

Arben Beqiraj është bezdisur nga zhurma e kalit dhe pasi ka debatuar me kujdestarin e kalit Gazmend Alushi e ka goditur këtë të fundit. Gazmend Alushi është ankuar tek pronari i kalit Eduart Xhezo për këtë incident.

Kjo ka bërë që Eduart Xhezo bashkë me dy miqtë e tij Ariel Kingji dhe Shpati Leno të armatosur të shkonin në lokalin e Arben Beqirajt dhe pasi janë përplasur fizikisht janë konfliktuar me armë.