“Nuk keni performuar si duhet”, Ibrahimaj-kryebashkiakëve: Mbledhja e taksës së pasurisë lë për të dëshiruar, po pilotojmë projekt të ri

Aktualitet

Publikuar: 17/06/2022

“Nuk keni performuar si duhet”, Ibrahimaj-kryebashkiakëve: Mbledhja e taksës së pasurisë lë për të dëshiruar, po pilotojmë projekt të ri

Në takimin që ka thirrur kryeministri Edi Rama me kryebashkiakët në të gjithë vendin, ministrja e financave Delina Ibrahimaj njoftoi hartimin e një ligji të ri për mbledhjen e taksës së pasurisë.

Ajo u shpreh se taksa e pasurisë këtë vit do të nisë me një proces krejt ndryshe duke nënvizuar se pilotimi do të nisë në 9 bashki. Për funksionimin e këtij procesi, Ibrahimaj shtoi se duhen sisteme të forta elektronike.

“Dua ta nis me një falenderim për ata që kanë kontribuar në këto vite për modernizimin e qeverisjes vendore. Kontribut të madh ka pasur qeveria zviceriane që ka asistuar me qëllim arritjen e këtij objektivi të përbashkët. Kërkohet vullnet dhe angazhim. Ky angazhim është treguar gjatë këtyre viteve por do të vijojë edhe në vitet e ardhshme me kalimin e shërbimeve online.

Kjo kërkon përgjegjshërmi të lartë si nga ana juaj dhe nga ana jonë. Reforma ka sjellë rritje të eficencës dhe rritje të të ardhurave dhe investimeve publike në çdo bashki. Të ardhurat që nga viti 2015 janë rritur me 2.3 herë ndërkohë që shpenzimet ku bëjnë pjesë dhe investimet janë rritur me rreth 60%. GDP ka ardhur në rritje. Sot përbëjnë 3.3% të GDP-së. Të ardhurat vendore janë rritur.

Megjithatë dua të ndalem te disa taksa që nuk e kanë pasur perfomancën e duhur. Prej kohësh kemi folur për taksën e pasurisë, e cila këtë vit fillon me një proces ndryshe. Taksa e pasurisë këtë vit fillon me një proces krejt ndryshe.

Ajo është duke u pilotuar në 9 bashki dhe është shumë e rëndësishme angazhimi juaj, është një nga ato taksa që nuk ka pasur performancë aq të mirë. Pilotimin e fillojmë në 9 bashki. Është nga ato taksa që nuk ka pasur performancë aq të mirë sa të tjerat. Do hartojmë një ligj të ri të taksës së pasurisë Pritet të nisë diskutimi në gjysmën e dytë të vitit. Siç eksperienca na ka treguar, pa sisteme të forta elektronike nuk arrihet reformë në mbledhjen e taksave”, tha Ibrahimaj.