U dërguan në urgjencë me gjendje të fikëti, helmohen disa punonjëse të një ndërmarrjeje në Durrës

Aktualitet

Publikuar: 28/03/2022

U dërguan në urgjencë me gjendje të fikëti, helmohen disa punonjëse të një ndërmarrjeje në Durrës

Disa punonjëse të një ndërmarrjeje kanë përfunduar në spitalin e Durrësit me simptoma helmimi.

Bëhet me dije se pak pas mesditës së sotme, punonjëset kanë mbërritur në urgjencën e spitalit të Durrësit ku po marrin trajtimin e nevojshëm lidhur me gjendjen shëndetësore të tyre. Sipas burimeve spitalore, punonjëset janë paraqitur me gjendje të fikëti, këputje e ndjesi të vjellash.

Nga ana tjetër sipas mjekëve të shërbimit të urgjencës, gjendja e tyre është nën kontroll, ndërkohë që do të jenë analizat toksikologjike që do të përcaktojnë shkakun e helmimit, raporton TCH.

Gratë janë punonjëse të një ndërmarrjeje që ndodhet në  superstradën Durrës – Tiranë, ndërsa në lidhje me ngjarjen po heton edhe policia vendore.