Protestave të provokuara nga një episod dhune në Zvërnec, por që më pas morën karakter politik dhe synojnë rrëzimin e qeverisë Rama, u është bashkuar edhe Shemsi Prençi, i cili ka qenë drejtor i Emergjencave Civile gjatë mandatit të parë të Edi Ramës. Prençi u shkarkua nga ish ministërja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka në qershor të vitit 2018.
Pas shkarkimit, Prençi tha se kishte pasur mosmarrëveshje me ministren. “E kam pritur lirimin nga detyra, që në janar, madje dhe vetë nuk ndihesha mirë. Tani ndihem mirë, nuk kuptoheshim mirë me Ministren. Ndoshta ngaqë vetëm unë drejtor nga Veriu, e ndoshta s’më kuptonte gjuhën“, tha Prençi.
Për këtë periudhë ka pasur një raport nga KLSH për Emergjencat Civile, ku janë konstatuar problematika dhe abuzime të shumta. Gjithsesi, Olta Xhaçka dhe Edi Rama nuk kanë dhënë versionin e tyre për shkarkimin.
Pas shkarkimit, Prençi punoi si këshilltar i ish presidentit Ilir Meta. Në zgjedhjet parlamentare të 2021, Prençi ishte kandidat për deputet i LSI-së në Durrës. Më pas, në dhjetor 2022, Prençi kandidoi në primaret e PD për t’u zgjedhur kandidat për Bashkinë e Kamzës, por u tërhoq duke denoncuar manipulimin e procesit. Pas tërheqjes, Prençi u shfaq në krah të Enkelejd Aliabeajt.