Traditat, niveli ekonomik dhe urbanizimi copëzojnë hartën e divorceve në bashkitë të vendit.
Të dhënat nga Censi 2023 mbi gjendjen civile zbulojnë kontraste të forta nga Finiqi, me rreth 26 divorce për çdo 1 000 banorë, deri në Hasi që mezi bëhen 3 divorce për 1 000 banorë. Mesatarja kombëtare rezultoi 11-12 divorce për 1000 banorë, teksa 28 bashki rezultuan mbi këtë mesatare.
Grafiku i mëposhtëm i përpunuar nga “Monitor” mbi të dhënat e Cens 2023 në 61 bashki tregon se shkalla e divorceve është dukshëm më e lartë në Jug dhe në qendrat urbane turistike, ndërsa Veriu mbetet më konservator. Të dhënat tregojnë se Bashkitë e Finiqit, Sarandës, Delvinës, Korçës dhe Dropullit kanë shkallën më të lartë të divorcit për banorë. Në këto bashki rezultuan 22-25 divorce për 1000 banorë në kohën kur u zhvillua anketa.
Divorcet e larta në këto bashki lidhen me flukset e larta migratore dhe paqëndrueshmërinë që krijojnë flukset sezonale të turizmit. Emigracioni i vjetër ku familjet kanë shumë vite të ndara kanë rritur probabilitetin e divorcit.
Në anën tjetër të grafikut, Bashkia e Hasit ka numrin me të ulët me vetëm 2,9 divorce për 1000 banorë, e ndjekur nga bashkia e Pustecit, me 4.3, Klosi me nga 5.3, divorce për 1000 banorë. Kultura tradicionale familjare shpjegon divorcet e ulëta kryesisht në Bashkitë e Veriut.