Prapaskena

Aktualitet

“Berisha, si Enveri në PD” – Gazetari: Demokratët kërkojnë alibi për 11 majin, dolën më keq se me Bashën 

Publikuar: 23/05/2025

Sali Berisha ka mendësi staliniste me qasjet e tij ndaj argumenteve politike në Shqipëri dhe kundër tij nuk pritet të dalin grupe apo figura të reja, ashtu sikurse as mund të mendohet largimi i tij nga PD për të respektuar pikërisht atë statut që votoi në Kuvendin e partisë si “Neni Basha”, pas humbjes së zgjedhjeve të 11 majit.

Kjo ishte analiza e bërë sot në ‘Studio Live’ nga Namir Lapardhaja, i ftuar i moderatorit Arbër Hitaj në Report Tv për situatën paszgjedhore dhe politike në vend.

Analisti tha se partitë e reja e humbën shansin e tyre në zgjedhje, që ishte bashkimi që do u jepte trefishin e mandateve, ndërsa shpresën e vetme të vendit dhe qytetarëve sheh pikërisht Drejtësinë dhe SPAK, që të çojnë më tej punën e nisur të tyre.

“Berisha dhe PD u përballën pas 11 majit me atë që gatuan gjatë fushatës dhe para saj dhe do vinte dita e përballjes me të vërtetën dhe humbjen. Premtuan se do rrëzonin Ramën dhe s’e bënë dot, premtuan një opozitë të fortë të bashkuar, s’e bënë dot, premtuan PD të fortë dhe fituese, s’e bënë dot. Këta po gjejnë justifikime dhe alibi, jo se nuk kishte probleme, por këta kishin premtuar se nuk do i lejonin dhe nuk do ndodhnin. Pra PD nuk i parandaloi dhe tani po kërkon justifikime. Këto zgjedhje të 11 majit 2025 janë më të mira se ato të vitit 2021. 

Por nga ana tjetër që nga 2021 dhe deri tani, Berisha dhe njerëzit e tij nuk kanë fituar asnjë garë. Madje krahasuar edhe me rezultatet e Bashës dolën më keq se ai më 2021, më pak vota dhe mandate, janë më të pashpresë se kurrë. Nuk po them se nuk pati problematika, ankesa, raportime, por këta nuk arritën t’i dilnin zot vendit dhe PD-së, edhe pse e premtuan, duke e përdorur edhe si slogan. As Basha nuk përdori këto justifikime që po bëjnë këta. Ne pamë se më 2021 si në rastin e Durrësit pati probleme me deputetin e vendosur në listë, kurse këtë herë ka vetëm pretendime”, tha Lapardhaja për Report Tv.

Në lidhje me statutin e PD-së mbi ‘nenin Basha”, analisti ndau mendimin se Berisha nuk largohet nga PD, pasi edhe deputetët e zgjedhur i ka më besnikët, por edhe forumet apo strukturat janë ose militantë me mendësinë e tij staliniste, ose kanë frikë nga presionet, edhe siç ka ndodhur.

“Berisha vetë e bëri në Kuvend nenin e famshëm për largim të kryetarit humbës, tani të shohim se çfarë do bëjnë forumet, por duket se militantët kanë nevojë për Enverin e tyre, Berisha do duket sikur ka ardhur nga sipër, forumet do heshtin, sepse forumet janë vetë Berisha. Është një film i parë më herët, kështu është edhe historia e Sali Berishës, dihet fundi për këtë rast. Sipas statutit të PD-së Berisha nuk është më kryetar i PD-së. Nëse do ai le të vazhdojë të rrijë, por me statutin që votoi vetë, ai nuk është më kryetar. Nëse vendos ta shkelë, sepse edhe listën e deputetëve që ka zgjedhur dihet se janë besnikët e tij, ndaj e shoh të vështirë jo vetëm largimin e Berishës, por edhe reformimin dhe analizën e PD-së, për shkak të vetë atij”, u shpreh Lapardhaja.

Madje ai shkoi më tej, duke thënë se “Berisha ka mendësi staliniste” dhe ai është problemi i vërtetë i PD-së, por edhe pse strukturat dhe drejtuesit e dinë këtë, nuk kanë çfarë të bëjnë nga frika, sepse në një rast edhe iu desh të “kërcenin vallen e tij’.



Më të lexuarat