Prapaskena

Aktualitet

Dosja “Partizani’”, GJKKO rrëzon sërish kërkesën e Berishës për përjashtimin e gjyqtares Flojera Davidhi

Publikuar: 13/05/2025

GJKKO ka rrëzuar për herë të dytë kërkesën për përjashtimin e gjyqtares Flojera Davidhi lidhur me dosjen Partizani, me të pandehur Sali Berishën, Jamarbër Malltezin dhe tre të tjerë.

Kërkesa ishte bërë nga mbrojtësit e Sali Berishës, Jamarbër Malltezit, Andia Pustinës dhe shoqërisë Homeplan. Vendimi u mor nga gjyqtarja Flora Hajredinaj. 

“Mospranimin e kërkesave të kërkuesve: 1. Jamarbër Malltezi; 2. Sali Berisha; 3. Andia Pustina; 3. Shoqëria Tregtare Homeplan shpk, me objekt “Përjashtimin e gjyqtares së seancës paraprake Flojera Davidhi, nga gjykimi i çështjes penale, si të pabazuara në prova dhe në ligj. Caktimin e gjobës 5000 (pesëmijë) lekë, palëve kërkuese”, thuhet në vendimin e gjykatës. 

Kalimi për gjykim i dosjes për aferën Partizani, me të pandehur Sali Berishën, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi dhe të tjerët zvarritet prej 6 muajsh. 

Në seancën e fundit, të mbajtur më 5 maj, Berisha përdori një tjetër manovër, duke nxjerrë një dokuement, përmes të cilit pretendonte se gjyqtarja e hetimit paraprak ka qenë e dënuar në 2005 në Greqi për falsifikim dokumentesh të udhëtimit. Me këtë vendim, mbrojtja e ish-kryeministrit kërkoi në seancë paraprake revokimin e vendimit për pavlefshmëri të provave të marra nga Irena Gjoka.

Mbrojtja e Berishës pretendon se nëse dokumenti për dënimin e Gjokës është i vërtetë, çdo vendimmarrje e gjyqtares së hetimit paraprak, Irena Gjoka, nuk ka patur legjitimitet. 

Seanca e radhës do të mbahet më 19 Maj. Dërgimi në gjyq i dosjes do të ishte përballja e parë reale e Berishës dhe Malltezit me drejtësinë. Berisha ndodhet në masë “detyrim paraqitje” për korrupsion, ndërsa dhëndri i tij Malltezi po hetohet në arrest shtëpie, i pandehur për korrupsion pasiv dhe pastrim parash.



Më të lexuarat