Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ishte këtë të hënë në Kukës, ku prezantoi kandidatët e Aleancës për Shqipërinë Madhështore në zgjedhjet e 11 majit. Gjatë fjalës së tij, Berisha nuk kurseu sulmet as ndaj kreut të Partisë Social-Demokrate, Tom Doshi, i cili pak kohë më parë u zotua publikisht se do t’i marrë Partisë Demokratike një mandat deputeti në Qarkun Kukës. Berisha tha se Doshi blen vota në favor të kryesocialistit Edi Rama, me paratë e tenderave që ky i fundit i jep.
Po ashtu, kreu i PD u kërkoi kuksianëve që të mos japin asnjë votë në drejtim të partive të reja, pasi sipas tij, ato janë paterica të Partisë Socialiste dhe synojnë përçarjen e votës opozitare.
“3500 tendera fiton në vit Tom Doshi nga Edi Rama dhe e nxjerr Tomën për të blerë vota pastaj. Asnjë votë Tom Doshit, asnjë votë partive të vogla, të ashtuquajtura të reja, të cilat janë paterica të Edi Ramës“,- tha Berisha.