Prapaskena

Sport

Shqipëri-Serbi, përflitej se do të luhej në “Elbasan Arena”. Ja prapaskenat

Publikuar: 13/04/2025

Kombëtarja shqiptare në vitet e fundit i ka zhvilluar ndeshjet e saj në stadiumin “Arena Kombëtare”. Por, “Panorama Sport” mëson se ekziston mundësia që përballja me Serbinë, e planifikuar për në datën 7 qershor, të spostohet në “Elbasan Arena”. Kështu, të paktën flitet në korridoret e FSHF-së, por deri tani asgjë nuk është e konfirmuar.

Spostimi- Mes së shkuarës dhe së tashmes, Shqipëria duhet të përballet me Serbinë në 7 qershor, ndeshje e vlefshme për Grupin K në kualifikueset e Kampionatit Botëror. Duke ditur atë se çfarë ka ndodhur vite më parë në Beograd, një ndeshje e tillë ka risk të lartë që të kalojë me incidente. Kështu, në korridoret e federatës flitet për të spostuar këtë takim në “Elbasan Arena” dhe e gjitha kjo mund të bëhet për arsye sigurie. Gjithçka deri tani është në rangun e thashethemit pasi asgjë nuk është vendosur. Stadiumi “Arena Kombëtare” do të jetë “Sold Out” për këtë takim dhe distanca nga fusha është shumë e afërt.

Pra, në rast të një situate të jashtëzakonshme, tifozët do ta kishin shumë të lehtë të pushtonin fushën. Ky takim ka edhe një rëndësi për imazhin e Shqipërisë, sepse një stadium i tepruar me forca policore, që sërish nuk garanton asgjë, nuk do të ishte diçka pozitive. Megjithatë, duke ditur distancën deri në Elbasan, rrethimin dhe pistën që ka stadiumi “Elbasan Arena”, ndoshta është hedhur si ide që siguria mund të menaxhohet më mirë në atë stadium. Teksa jemi më pak se dy muaj nga dita e ndeshjes, ende nuk është vendosur se ku do të luhet ndeshja me Serbinë, në Tiranë apo Elbasan. Po ashtu edhe biletat ende nuk kanë dalë në shitje për publikun.



Më të lexuarat