Pas përfundimit të konferencës së kreut të PD-së, Sali Berisha (ditën e djeshme), ka ardhur një reagim thumbues nga kryeministri Edi Rama. Rama përdori një metaforë për të përshkruar “bufin e kënetës”, siç ai e ka etiketuar vazhdimisht Berishën, duke e ironizuar me sjelljen e kësaj specieje për të nënkuptuar sjelljet e kreut të opozitës.
Në postimin e tij, Rama i referohet “bufit të kënetës” si një shpend që helmatis jo vetëm brejtësit, por edhe veten, pasi grumbullon pesticide dhe helme. Ndërkaq, Syri Tv, televizioni me pronar faktik djalin e Sali Berishës, Shkëlzen Berisha, ka publikuar një reagim të Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore duke përgenjeshtruar Ramën.
Sipas Forumit, foto e publikuar nga Rama për të përshkruar Berishën nuk është një buf kënete, por një kukuvajkë. Forumi thotë se kukuvajka është një shpend shumë i dobishëm për mjedisin pasi ushqehet me zvarranikë dhe minj.
Po vetë Forumin çfarë e lidh me bufin e kënetës apo kukuvajkën? Për kërë forum nuk ka të dhëna për organizimin, fondet, funksionimin, projektet etj., por deri në vitin 2021 është drejtuar nga Gjergj Bojaxhi, i akuzuar për tranferta miliona euro nga kompani offshore.
Reagimi i Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore
Në postimin e sotëm mjaft domethënës të Kryeministrit, si një alegori politike përmendej një shpend i quajtur “Bufi i kënetës” si një specie negative dhe e dëmshme për mjedisin. Duke u konsultuar me specialistët e fushës, dëshirojmë të këshillojmë z. Kryeministër se:
– Sipas literaturës se botuar në Udhëzuesin “Shpendët e Shqipërisë” mund të themi se specia me emrin “Bufi i Kënetës” nuk ekziston në Shqipëri.
Foto e postimit në fakt është Kukuvajka apo e njohur në emrin shkencor si (Athene noctua) apo në anglisht Little Oël.
Ky shpend është mjaft i përhapur në zonat rurale të Shqipërisë dhe është shumë i dobishëm për mjedisin pasi ushqehet me zvarranikë dhe minj. Nuk përmendet si një specie plaçkitëse aq më shumë ndaj shpendëve shtëpiake. Sipas studimeve shkencore ka një rol kyç në ruajtjen e balancës së popullatave të brejtësve, kryesisht minjve, të cilët janë vektorë të transmetimit të shumë sëmundjeve.
Nëse nuk do të kishte kukuvajaka, popullata e brejtësve urbanë do të rritej në nivele të tilla që do të bëhej kërcënuese për shëndetin dhe jetën e njerëzve. Nuk ka asnjë studim shkencor që të vërtetojë se Kukuvajka është një shpend që grumbullon pesticide apo toksina dhe aq më shumë të jetë armiqësor dhe helmues ndaj diversitetit. Përkundrazi Z. kryeminister nëse Kukuvajka nuk do ekzistonte në Shqipëri do na kishin mbytur minjtë.
– Duke shprehur konsideratën tonë për interesimin e Z. Kryeministër ndaj mjedisit mund të themi se si rezultat i mungesës së specialistëve në administratë, informacioni i dhënë është tërësisht i gabuar.
Aq më shumë kur mendon se shqiptarët taksapagues kontribuojnë për mbajtjen në këmbë të Ministrisë së Mjedisit, e cila nuk mundet të japë dot një informacion të saktë Kryeministrit të vendit edhe për një Kukuvajkë.


P.S . Sipas specialistëve të fushës, britma e shpendit në videon e postuar të KM nuk është zëri i Kukuvajkës, por i një shpendi tjetër.
Më poshtë po publikojme listën e Bufëve dhe kukuvajkave që janë identifikuar në territorin shqiptar:
– bufi i madh, bufi veshgjatë, bufi veshshkurtër, bufi i vogël, bufi i dëborës, kukuvajka e uraleve, kukuvajka e pyjeve, kukuvajka kokëmadhe, kukuvajka mjekroshe.