Anëtarët e Këshillit Drejtues të RTSH dolën sot para Komisionit të Medias, ku shpalosën aferat e tyre në RTSH, fijet e interesave, papërgjegjshmërinë në raport me ligjin, nivelin mediokër, falsifikimet dhe batakun që përfaqësojnë. Kryetarja e Komisionit Ina Zhupa dhe nënkryetarja Evis Kushi i dhanë një goditje skenarit të Aurora Polos dhe anëtarëve të Këshillit për të devijuar skandalin tek kryetari i Këshillit Drejtues, Leka Bungo, i cili është paguar për një projekt në RTSH.
Pagesa modeste për Bungon është e vërtetë, mund të jetë edhe e paligjshme, por kjo pagesë nuk mund të përdoret për të mbuluar korrupsionin e anëtarëve të tjerë të Këshillit Drejtues me drejtoreshën e komanduar të RTSH, Aurora Polo. Në momentin kur Leka Bungo u pozicionua kundër çetës zhvatëse në RTSH, Aurora Polo i dërgon Vesho Mallistit materiale kundër Leka Bungos.

Duke thënë një të vërtetë, për të fshehur një të vërtetë më të madhe, media në këtë rast nuk i shërben interesit publik, por korrupsionit.
Gjithashtu, Vesho Mallisti, Aurora Polo dhe Ilir Keko, në kohë të ndryshme kanë qenë pjesë e Albafilm, një ndërmarrje shtetërore, e cila është përfshirë në tjetërsimin e pronave publike. Vesho dhe Keko kanë qenë anëtarë të Këshillit Mbikqyrës, ndërsa Aurora Polo drejtoreshë.


Aurora Polo, jo vetëm nuk plotëson kriteret ligjore për drejtuese të RTSH, por ka paraqitur dokumente të falsifikuara pranë Këshillit Drejtues në ‘garën’ për drejtimin e RTSH. Zonja Polo ka paraqitur një dokument pranë Këshillit Drejtues, sipas të cilit ajo nuk është në konflikt interesi dhe nuk ushtron veprimtari të tjera fitimprurëse. Por në QKR zonja Polo rezulton biznesmene.

Polo ka mashtruar Këshillin Drejtues të RTSH si kur është zgjedhur zv/drejtore e RTSH, ashtu edhe kur ka aplikuar për pozicionin e drejtorit të RTSH, duke paraqitur dokumentacion të rremë.
Gjithashtu, nga verifikimi i transkasioneve rezulton se në llogarinë e pagës së Aurora Polos, në muajin dhjetor 2024, ka kaluar një pagesë 5 milionë lekë.
Në kushtet kur paga e saj si drejtore e komanduar e RTSH është rreth 2 milionë lekë, nuk dihet se për çfarë veprimtarie ka marrë zonja Polo 5 milionë lekë. Ka dyshime të forta se Aurora Polo i ka dhënë vetes shpërblim rreth 3 milionë lekë nga buxheti i RTSH, pra nga paratë publike.
Faktet nxjerrin zbuluar edhe anëtarin e Këshillit, Ilir Keko, mbështetës i zjarrtë i zonjës Polo, për interesat e tij personale.
Përmes një shkresë të firmosur nga ish-drejtori Alfred Peza, Gëzim Podgorica së bashku me Ilir Kekon, një tjetër anëtar i Këshillit Drejtues, shprehin interesin për realizimin e një dokumentari për babain e këtij të fundit, Endri Keko. Po sipas këtij dokumenti Drejtori i Përgjithshëm ofron të gjithë mbështetjen e nevojshme për realizimin e dokumentarit.

Qokat ndaj këtyre dy anëtarëve të Këshillit nuk mbarojnë këtu. Podgorica dhe Keko kanë qenë dy herë pjesë e delegacioneve të Festivalit Europian të Këngës. Duke mos patur asnjë lidhje me muzikën ata “shëtisin” me paratë e taksapaguesve dhe zënë vendin emrave me kontribut ndër vite në Festivalet e RTSH, si Irma Libohova, Luan Zhegu, Elton Deda, Shpëtim Saraçi e shumë të tjerë.
Anëtarët e Këshillit nuk kanë asnjë lidhje me muzikën, por kanë secili nga një votë dhe duhet të ngrenë dorën sa herë ti duhet Drejtorit, ndaj për këtë i meritojnë disa “dhurata” të vogla.
Gëzim Podgorica, nga ana e tjetër, është koordinator i Agjencisë Mediatike kineze SEHORA në Tiranë. Paguhet nga qeveria kineze me një pagë 7 mijë euro në muaj.
Edmond Tullumani është gjithashtu në konflikt interesi. Dhëndri i tij Elton Metaj është emëruar nga Aurora Polo shef kabineti i drejtorit të RTSH. Vajza e Tullumanit, Romana Tullumani, u caktua nga Polo pjesë e jurisë së Festivalit të 63 të RTSH.
Milena Selimi ka gjithashtu interesa familjare. Vajza e saj Alesia Burnazi ka marrë projekt në radio nga Aurora Polo. Pra, nënë e bijë marrin para publike në të njëjtin institucion.
Ëngjëll Ndocaj përdor infrastrukturën e RTSH për të bërë emisione si dhe merr para për transmetimin në RTSH të emisioneve të tij mediokre. Një emision në RTSH është bërë edhe për babanë e tij Filip Ndocajn.
Albert Minga është gjithashtu i zhytur në batakun e interesave të RTSH. Vajza e tij Aulona Minga ka marrë projekt në RTSH. Babë e bijë, në konflikt flagrant interesi, marrin para publike.
Edhe Dionis Papadhimitri ka futur duart në buxhetin e RTSH. Sipas një raporti të KLSH, Papadhimitri ka përfituar 30 milionë lekë nga RTSH në mënyrë të kundraligjshme. Papadhimitri, i cili mbështet Polon, duhet t’i kthejë paratë në arkën e RTSH. Dhe e gjithë kjo është vetëm maja e ajsbergut. Prapaskena do të publikojë në vijim fakte të tjera për hajdutëritë ulëritëse në RTSH.