Kreu i opozitës Sali Berisha ka ndaluar deputetët e PD-së që të shprehen dhe që të vizitojnë policin e qarkullimit rrugor Azbi Spahiu, i cili u hodh nga pallati pas presioneve të ushtruar nga eprorët e tij pas ndalimit të djalit të biznesmenit Samir Mane, pasi ky i fundit ka përplasur disa mjete me makinë dhe ka kundërshtuar kryerjen e testit të alkoolit. Ngjarja është rrethuar me mister, ndërsa policia, për turpin e saj, nuk jep asnjë inforamcion. Ka dy versione. Sipas versionit të parë, eprorët i kanë kërkuar Azbi Spahiu të tejkalojë ligjin dhe të ndalojë djalin e biznesmenit, për t’i vënë gjobë Samir Manes. Sipas versionit të dytë, Azbi Spahiu ka ndaluar djalin e Samir Manes në zbatim të ligjit, prokuroria e ka konsideruar ndalimin të paligjshëm dhe më pas AMP ka ushtruar presion si dhe ka kërcënuar Azbi Spahiun.
Ky është një rast kur Policia e Shtetit meriton të quhet e kapur, e pabesueshme, narko-polici etj., siç edhe e konsideron opozita. Por, nga ana tjetër, opozita e drejtuar nga Sali Berisha po kofirmohet më e kapur dhe e pabesueshme se sa policia. Edhe pse një reagim i opozitës në mbështetje të policit Azbi Spahiu nuk do të ishte një qëndrim kundër biznesmenit Samir Mane, Sali Berisha ka urdhëruar deputetët e PD-së të mos reagojnë për këtë rast. Një qëndrim po aq kompromentues po mbajnë edhe mediat kryesore në vend me heshtjen e tyre të turpshme. Disa mutacione mediatike pranë opozitës kanë shkuar më tej, akuzojnë mediat e pakapura se pse pasqyruan ngjarjen.
Gazetari Ylli Rakipi, në lidhje me këtë ngjarje, u shpreh mbrëmë se “Po të kishte qenë djali i Edi Ramës, Sali Berisha do të “therte” vetë Edi Ramën, me qytetar dixhital e me këto që nxjerr ai. Edhe Policia në këtë rast është turp, është polici fashiste, nuk jep informacion kur kolegu i tyre po vdes“.
Gazetarja Ola Xama tha se ‘Ajo që më bën përshtypje përtej mediave, për mua pyetja është po media opozitare çfarë bën? Portalet që bëjnë çdo gjë që ndodh në Shqipëri. Për biznesmenët e mëdhenj kur bien ngjarje të tilla, nuk i bëjnë lajmet. Kjo frymë opozitare do të pretendojë të dalë në zgjedhje? Nëse ka edhe 1% të vërtetë që dikush me pozitë të fuqishme ka çuar një polic drejt vetvrasjes… Është indiferencë totale, ndërkohë çfarë ndodhi me rastin e Xhisielës me fisin Raja? Nuk ngeli emision në darkë, portal, media, deputet i opozitës pa folur…“.
Gazetarja Klodiana Lala u shpreh: “Azbi Spahiu është 57 vjeç dhe është në Reanimacionin e Traumës, gjendja tashmë është e stabilizuar. Azbi Spahiu ka trajtuar rastin e djalit të Samir Manes, i cili ka goditur disa mjete të parkuara në rrugë. Është konstatuar nga punonjësit e policisë. Nuk ka pranuar të bëjë testin e alkoolit dhe normalisht si rregull, kur një individ refuzon ka mekanizma se si mund të bëhet testi i alkoolit. Është vendosur të arrestohet dhe është shoqëruar në bllokun e sigurisë. Nuk ka qëndruar gjatë sepse ka pretenduar se nuk është mirë dhe është transferuar në spital. Të nesërmen është liruar nga prokurori që e ka konsideruar arrestimin të paligjshëm. Nuk është dokumentuar historia. Azbi Spahiu është thirrur nga zyrtarë të AMP dhe i është kërkuar llogari pse është bërë. Gjendur në kushte presioni ai i ka shkruar të birit, duke thënë se po i shkatërronin karrierën me lojëra, dhe pastaj është hedhur nga lartësia. Është një çështje që duhet hetuar. Nëse Martin Mane është arrestuar dhe ka qenë nën efektin e alkoolit duhej bërë testi i alkoolit dhe të mbahej përgjegjësi. Nëse Martin Mane është arrestuar në mënyrë të paligjshme dhe vetëm se është djali i biznesmenit, atëherë mund të ngremë dyshime se ndoshta struktura bën shantazh. Në të dyja drejtimet po ta kapim, duhet një hetim. Sot jam në krahun e Azbiut sepse ai është hallka më e dobët, ku është tentuar të shkarkohet e gjithë përgjegjësia. Nëse është arrestuar dhe është favorizuar ka nevojë për hetim. Nëse është arrestuar në mënyrë të paligjshme dhe është tentuar sulm ndaj Samir Manes, duhet sërish hetim. Heshtja e insitucioneve më bën të dyshoj se nuk është një situatë bardhë e zi. AMP nuk ka asnjë hetim penal në lidhje me këtë situatë. Nëse punonjësit e policisë e kanë shkelur, pse nuk ka procedurë hetimore Mjegullnaja që është hedhur ngre dyshime. Duke e parë Azbiun si hallkën më të dobët, por duke i njohur edhe integritetin, në të gjithë kërkimet që kam bërë dhe bisedat që kam patur me kolegët e tij, e shohin dhe e pikturojnë si njeri me ndërgjegje të lartë profesionale, me etikë profesionale, prandaj jam krah Azbiut por kundër llumit që ka mbërthyer Policinë e Shtetit. Kam pyetur dhe kam bisedat me zyrtarë të policisë dhe asnjë nuk jepte shpjegime as për arsyet e shoqërimit të Martin Manes dhe as për lirimin e tij. Policia nuk ka patur kurajon të bëjë një njoftim sqarues por thjesht kanë thënë punonjësi i policisë është hedhur“.