Kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi në një konferencë për mediat bëri thirrje sot për bashkim të opozitës në koalicion të gjerë me një listë të përbashkët të hapur me konsensus, ose në të kundërt të presin radhën tek lista tjerë, atë që e përcakton Berisha nga selia blu, bashkë me Metën nga qelia.
Shehi zbuloi se brenda janarit do të finalizojë marrëveshjen me disa aleatë opozitarë, duke bërë bashkë pas divorcit me vulën, edhe Lulzim Bashën me Enkelejd Alibeajn.
“Lista është e përbashkët, është e hapur. Eshte shans i madh që ka opozita alternative, nëse s’ kanë ide të tjera të shkojnë te grupi Berisha apo Meta, sesa të bëhet rromuj me 700 lista që mos ta marrin vesh i pari te dytin.
Po negociojmë me të gjitha grupet që janë brenda parlamentit dhe pothuajse kemi rënë dakort me Alibeajn, grupin e Bashës apo të tjera që janë brenda në parlament. Pothuajse po e mbyllim këtë punë. Kur të nënshkruhet marrëveshja që besoj brenda këtij muaji, do ta bëjmë zyrtare”, tha Shehi.
I pakënaqur, por optimist u shfaq kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar për votën e diasporës. Ai u kërkoi emigrantëve të regjistrohen masivisht brenda afatit për të votuar më 11 maj, edhe pse shpreson që nga jashtë të vijnë vetëm 60-70 mijë vota.