Nga Adriatik Doçi
Nuk kam pasur kurrë dyshime se kolegu Elton Qyno është një nga gazetarët më të ndershëm dhe të guximshëm. Shkrimet me emrin e tij, për grupet kriminale në Shqipëri, janë të frikshme. Mbi 40 shkrime ka bërë vetëm për grupin e Suel Çelës!
Kur mbajta një qëndrim në mbështetje të Qynos, në 25 nëntor 2024, për një yrysh të SPAK-ut me një dosje të re të sforcuar, disa kolegë të tjerë, pasi dolën detaje nga dosja, më thanë se isha nxituar. Në fakt, ekspozimi i ‘provave’ të SPAK konfirmoi dyshimet se reprezalja ndaj Elton Qynos dhe akuza e dyshuar pêr ‘korrupsion në sektorin privat’, ishte një akt përndjekës, njëllosës, arbitrar dhe i rrezikshëm.
Sot, Gjykata e Posaçme e Apelit ka hequr çdo masë të kërkuar nga SPAK ndaj Elton Qynos, në kuadër të dosjes së organizatës kriminale të Suel Çelës. Revokimi i masës së sigurisë detyrim paraqitje është vendosur pas konstatimit se gazetari Elton Qyno nuk dyshohet që të ketë konsumuar ndonjë vepër penale dhe se ka publikuar lajme të vërteta, pavarësisht se cilën palë kanë prekur.
Edhe sikur Elton Qyno të ketë shkruar dhe redaktuar lajme me ndikim, nuk ka asnjë sens logjik akuza e korrupsionit në sektorin privat. Ku konsiston korrupsioni?! Është si të akuzosh Blendi Fevziun se pse nuk ka ftuar në emision Arlind Qorin, apo të gjitha gazetat, portalet dhe televizionet, që pasqyrojnë shkrime me përmbajtje promocionale kundrejt pagesave! Pas amerikanëve, në Shqipëri, SPAK aleatin më të madh dhe më të sinjqertë ka gazetarët.