I penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani ka dëshmuar ditën e sotme në sallën e gjyqit në GJKKO, ku ishin të pranishëm edhe disa të akuzuar nga ana e tij si të përfshirë në krime.
Seanca është zhvilluar mes tensioneve pasi të akuzuarit nga SPAK, i janë kundërvënë bashkëpuntorit të drejtësisë duke i ndërprerë dëshminë.
Nuredin Dumani ka zbardhur para trupit gjykues grabitjet e kambistëve në Elbasan, Kavajë e Durrës me Talo Çelën, Ilirjan Feçin dhe Gentian Sharrën etj.
I penduari i drejtësisë rrëfeu se gjatë grabitjes në Kavajë, ngjarje e ndodhur më 13 shkurt 2012, Talo Çela ka goditur me levë në kokë kambistin dhe këtij të fundit iu thye nofulla.
“Talo i ra me leve në kokë kambistit, atij iu thye noflla nuk fliste dot, morëm cantën u larguam. Ndamë lekët pastaj diku tek 20 milionë”, tregoi në sallën e gjyqit Nuredin Dumani.
Nuredin Dumani ka treguar gjithashtu se kush qëndron pas atentatit të dështuar ndaj Filip Gjeloshit, ngjarje e datës 05 shkurt 2011 në qytetin e Tiranës.
“Henrik Hoxha më tregoi për atentatin ndaj Filip Gjeloshit që ishte paguar fillimisht 5 mijë euro nga Ardian Ozuni”, deklaroi ai. Ndërsa tregoi se i ka shitur një snapjer në vitin 2012 shtetasit Ardian Ozunit, i njohur si “Cufi”.