Sali Berisha bëri një deklaratë të fortë këtë të hënë, kur situatën në Siri e paralelizoi me vendin tonë.
Ai u shpreh me bindje të plotë se “diktatura rrëzohet me lëvizje të armatosur siç dje me diktatorin gjakatar Bashar Al Asad”.
Por tha se rruga që ata kanë ndjekur është mosbindja civile, teksa paralajmëroi se data 23 dhjetor do të jetë dita e mosbindjes më të fuqishme kombëtare që ka njohur Shqipëria gjer sot.
“Diktatura rrëzohet ose me lëvizje të armatosur siç dje me diktatorin gjakatar Bashar Al Asad, ose me mosbindje civile. Opozita shqiptare ka zgjedhur mosbindjen civile si rrugën kryesore, të vetme për të çliruar shqiptarët nga narkodiktatori dhe diktatura e tij që kërkon të marrë njëlloj si Lukashenko mandatin e katërt, të grabisë mandatin e katërt”, tha Berisha ndër të tjera.
“Ndaj dhe data 23 dhjetor do të jetë dita e mosbindjes më të fuqishme kombëtare që ka njohur Shqipëria gjer sot. Modalitetet e kësaj mosbindje do përcaktohen nga grupi përgjegjës, por opozitarët dhe demokratët nga mbarë Shqipëria dhe kudo që ndodhen në botë, duhet të bashkohen me 23 në një mosbindje civile që duhet të ketë fuqinë e elektroshokut për regjimin narkodiktatorial të Edi Ramës.
Duke e mbyllur çështjen e rezolutave, shpreh mirënjohjen më të thellë ndaj kryetarëve, kryeministrave, presidentëve, kryetarëve të partive anëtare të këtyre organizatave, që me një shpejtësi të rrufeshme votuan në një hark kohor në më pak se katër javë tre rezoluta kushtuar Shqipërisë, duke faktuar kështu se Shqipëria është bërë problem madhor për vendet ku ato qeverisin ose ku janë në opozitë, pra për mbarë botën më shumë se çdo vend tjetër”, tha Berisha.