Prapaskena

Aktualitet

“20 mijë € të bllokuara, ora “Rolex” dhe ”Audi RSQ8”/ Dolën në “Sky” për trafik droge, kapet “kavajsi” dhe Maksim Ndoci nga Puka!

Publikuar: 06/11/2024

Dy personat e arrestuar në Shqipëri gjatë një hetimi të përbashkët mes prokurorisë së Firences (Itali) dhe prokurorisë së Posaçme (SPAK) në Shqipëri, janë Juljan Kollçaku nga Kavajë dhe Maksim Ndoci nga Puka.

Pritet që ndaj dy personave Juljan Kollçaku nga Kavajë dhe Maksim Ndoci nga Puka, të nisin procedurat për ekstradimin e tyre në Itali. Dy të ndaluarit janë pjesë integrale e një grupi kriminal që ka vepruar në Itali, të cilët në bashkëpunim me shtetas, Shqiptarë, Italianë dhe persona me kombësi tjetër, ka trafikuar dhe tregtuar nga vendet e Amerikës Latinë, Kokainë, Hashash dhe heroinë, shkruan ora. Në total janë arrestuar 25 veta, ku 23 janë ndaluar në rajonin Toskanë, Kalabri, Lazio, Puglia, Campania, Lombardi, Veneto, Liguria dhe 2 persona në Shqipëri, të cilët janë Juljan Kollçaku dhe Maksim Ndoci. Sipas SPAK, kjo goditje e suksesshme është rezultat i punës së dy skuadrave të përbashkëta të hetimit afatgjatë (JIT), të mbështetura dhe të financuara nga Eurojust. Ndër provat kryesore të identifikimit dhe lokalizimit të këtij grupi, ka qenë pikërisht bisedat për trafikun e drogës të zhvilluara në aplikacionin “Sky ECC”. Dërgesat e drogës dërgoheshin nga Amerika e Jugut në kontejnerë, përmes porteve italiane (Livorno, Genova dhe Savona) dhe në vende të tjera evropiane.

Kontejnerët ruheshin në portet e mbërritjes, ku ekipet e posaçme kujdeseshin për rikuperimin e lëndës narkotike dhe nxjerrjen e dërgesave nga zonat portuale, për t’i vënë më pas në dispozicion të grupeve kriminale.

Për të lehtësuar operacionet e identifikimit dhe gjetjes së kokainës, grupi i strukturuar kriminal përdorte pajisje radiolokalizimi, ndërsa lënda fshihej brenda kontejnerëve të ngarkuar me mbulesë frutash ekzotike ose në hapësirat e posaçme të krijuara për këtë qëllim. Nga hetimet e kryera është bërë e mundur kapja e mbi 2 ton kokainë, 45 kg hashash, 20 kg marijuanë – nga e cila grupi kriminal do të kishte përfituar rreth 70 milionë euro, si edhe arrestimi në flagrancë i tre prej anëtarëve të këtij grupimi.

Ndërkohë gjatë operacionit për arrestimin në Shqipëri të dy personave, policia sekuestroi 20 mijë euro, 52 ora të markave të ndryshme si “Rolex” etj, 1 automjet tip “Audi  RSQ8” i viti 2020 si dhe 3 celularë, ku 2 prej tyre “G Pixel”, një armë zjarri pistoletë beretë me 15 fishekë, 3 celularë dhe pajisje të tjera.



Më të lexuarat