Azgan Haklaj rrëfeu një nga përplasjet më të forta që ka pasur me ish-presidentin Ilir Meta në vitet 2000. Zoti Haklaj tregoi se si është arrestuar me urdhër të Metës dhe është torturuar nga forca policore, duke iu djegur trupi me cigare dhe i janë shkulur thonjtë.
“Edi Paloka, Berisha dhe dhjetëra demokratë janë arrestuar nga Meta në protestën që kemi organizuar disa vite më parë në Tropojë.
Po ashtu edhe unë si kryetar i Tropojës, jam arrestuar në mënyrë të dhunshme me qindra forca policore, duke shkelur ligjet e shtetit dhe të drejtat e njeriut. Më kanë arrestuar në orën dy të mesnatës, pa komunikim të urdhër-arrestit. Dhunuan gjithë familjen, madje dhe vajzën e vogël e qëlluan me shkelma dhe e hodhën nga korridori. Ngjarja është regjistruar në raporte prestigjioze, të cilat kanë reaguar, po ashtu edhe Departamenti Amerikan i Shtetit, OSBE/ODIHR, që kanë reaguar për mënyrën e arrestimit të Azgan Haklajt. Unë nuk ika, madje kam pritur në zyrë por Meta më arrestoi në mesnatë, duke më trajtuar në mënyrën më çnjerëzore.
Më ka djegur trupin me cigare dhe më ka shkulur thonjtë, për hakmarrje, zbathur dhe zhveshur, për mitingun e 20 shtatorit të vitit 2000.Kjo ka qenë një nga përplasjet e mia me Metën”, tha Azgan Haklaj në Dritare TV.