NË SHËNJESTËR TË BANDAVE
Akuzat më të shpeshta për atentatet lidhen me rrjedhjen e informacionit brenda radhëve të uniformave blu. Po kush po i tradhton policët në qarkun e Shkodrës, duke i çuar drejt eliminimit fizik?
A mjafton vetëm inkriminimi i disa prej policëve të zonave që përdoren si masha në duart e të plotfuqishmëve, apo ka dhe bekime të tjera institucionale?
Jeta në Shkodër vijon me monotoninë e zakonshme. Me sfidat e përditshme në qytetin e bicikletave, dhe bizneset që hapin qepenet duke shpresuar për një ditë të mbarë.
Megjithatë, në dukje, në kryeqendrën e veriut gjithcka duke e paqtë dhe pa asnjë problem madhor. Por, në qoftë se gërvisht vetëm pak këtë qetësi të rrejshme kupton se ekzistojnë dy realitete shumë të kundërta. Krimi është faktor i rëndësishëm në përditshmërinë e qytetit. Madje, edhe vendimarrës për mbarëvajtjen e tij.
Situata në rrafshin kriminal nuk ka ndryshuar shumë që nga shfaqja e këtij dokumentari të Inside Story në nëntorin e 2023-it. Në vorbullën e luftës mes grupeve kriminale, e gjejnë veten shpeshherë policët. Ata duhet të mbrojnë ligjin dhe bëjnë detyrën. Kjo i ekspozon ndaj kërcënimeve të krimit.
Duhet thënë, se grupet kriminale nuk kanë asnjë rezerve as kur bëhet fjalë për njerëzit e ligjit të cilët nëse nuk arrijnë ti blejnë, i kërcënojnë.
Nga viti 2020 deri në vitin 2024 në Policinë e Qarkut të Shkodrës janë kryer 13 atentate që kanë pasur si shënjestër policët, ngjarje të dyshuara për shkak të detyrës.
“Nga këto: Në 7 raste është vendosur lëndë plasëse (eksploziv)
Në 3 raste është hetuar për veprën “shkatërrimi i pronës me zjarr”
Në 3 raste janë hetuar për veprën “vrasja me dashje”, mbetur në tentativë dhe “armëmbajtja pa leje”.
8 vepra janë kryer ndaj punonjësve të Komisariatit të Policisë Shkodër, 1 ndaj punonjësit të Policisë Pukë dhe 4 ndaj punonjësve të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër”.
Nisur nga mënyra e realizimit të atentateve, duket se metoda më e preferuar që ka zgjedhur krimi është ajo me lëndë plasësese, eksploziv dhe, jo më kot…
“Metoda më e përhapur është me eksploziv, pasi është shumë e vështirë për të gjurmuar, apo gjetur autorin. Eksplozivi nuk lë shenja mbrapa, prandaj dhe organet ligjzbatuese e kanë shumë të vështirë që ta zbardhin ngjarjen”, thotë Sadedin Fishta – kryetari i Sindikatës së Pavarur të Policëve
“Shumë shkurt, atentatet bëhen sepse shiten policët. Atentatorët diku marrin informacion, sepse është e pamundur që ata ti njohin të gjithë policët. Atentatet janë bërë ndaj policëve në sektorë të ndryshëm, spz, opgj, patrulla, shqiponja, krime madje dhe ndaj rrugores. Kjo do të thotë se ata marrin infromacione diku, madje shumë të sakta. Dikush i shet policët”, thotë një polic në anonimat.
Ky person që flet në kushtet e anonimatit, punon prej vitesh në Policinë e Shkodrës. I gjendur përballë frikës se në një të ardhme të afërt mund të ketë fatin e kolegëve të tij, ka vendosur të flasë dhe të adresojë problematikat që kanë mbërthyer Policinë e Shkodrës. Shpesh, të dorëzuar nga lidhjet e zgjatura të bandave brenda këtij institucioni.
“Policët shiten nga kolegët e tyre. Eshtë e pamundur që një epror që vjen nga rrethet të ketë dijeni për të gjithë policët, për punën, për lidhjet, për banesat, etj. Policet shiten nga kjo strukture e kalbur që janë disa policë, që kanë vite në punë dhe që janë të lidhur me krimin dhe kriminelët. Janë ata policë që nga njëra anë e mbajnë mirë me shkelësit e ligjit dhe nga ana tjetër u lepihen eprorëve për të mos i transferuar. Kështu tërhiq e mos e këput krijojnë dhe balanca financiare. Atentati më i rëndë ishte ai ndaj kolegut Gjergj Ndershtiqaj”, thotë një polic në anonimat.
12 mars 2024, Grudë e Re, Shkodër
Kjo datë duhet të ishte një ditë e zakonshme për Gjergj Ndërshtiqajn që kishte marrë leje nga Akademia e Policisë ku studionte për tu bërë oficer. Atë të marte, 30-vjecari dhe familja e tij kishin hapur dyert për të pritur njerëzit me rastin e 1 vjetorit të ndarjes nga jeta të gjyshit.
Në mbrëmje, Gjergji së bashku me kunatin e tij, Gjon Leka marrin makinën e një miku dhe largohen nga lokali ku konsumuan kafe. Ata po shkonin drejt parkimit ku oficeri i policisë kishte parkuar veturën e tij.
Katër autorët e atentatit, të maskuar, ndoqën me makinën e tyre, mjetin ku udhëtonte polici për rreth 3 km. Në momentin që makina e oficerit ndalet, ky i fundit pasagjer, zbret dhe menjëherë vë re lëvizje të cuditshme në drejtim të tij.
Nga makina e atentatorëve zbresin 3 pasagjerët e maskuar që nisin furinë e plumbave të kallshanikovit në drejtim të Ndërshtiqajt dhe kunatit, Gjon Leka. Ky i fundit vrapon menjëherë sapo del nga makina, duke u shoqëruar nga breshëria e plumbave, ndërsa efektivi i ri i policisë fshihet pas makinës.
Furia e kashllashnikovëve bën që automjeti të shpërthejë. Flaka largon atentatorët, ndërsa fatmirësisht Ndërshtiqaj dhe Leka arrijnë të mbijetojnë. 106 plumba u lëshuan në drejtim të dy të plagosurve.
Gjergj Ndërshtiqaj mori 3 plumba. Një në krah, një në gju dhe një në kofshë. 30-vjecari ka bërë dy operacione të rrezikshme. 3 proteza metalike dhe 21 vida janë vendosur në këmbën e tij të majtë, që dukshëm ka mbetur me pasoja. I riu ka qëndruar një muaj e gjysmë në regjim shtrati, 1 muaj e gjysmë me paterica, ndërkohë tashmë ecën me vështirësi. Gjon Leka mori dy plumba. 1 në këmbë dhe 1 në brinjë.
Objektivi i atentatit të marsit të 2024 dyshohet se ishte Gjergj Ndërshtiqaj për shkak të profesionit. I riu në vitin 2020 ka punuar si patrullë e përgjithshme. Nga maji i 2021 deri në vitin 2023 ka punuar si SPZ në zonën e Shoshit. Një prej aktiviteteve kryesore të punës së tij ishte zbulimi dhe asgjësimi i fushave me kanabis sativa. Një veprimtari shumë e përhapur dhe e njohur në zonë, por si duket i ka sjellë dhe konflikte policit të ri.
Nga viti 2023 ndiqte studimet e Akademisë së Policisë për oficer. Momentalisht, Prokuroria e Shkodrës vazhdon hetimet për atentatin ndaj Ndërshtiqajt, por nuk ka arritur të zbardhë autorët e ngjarjes.
Përgjigjja e prokurorisë për rastin e Ndershtiqajt:
Eshtë regjistruar procedim penal, për veprën penale të parashikuar nga nenet 152 dhe 278 të Kodit Penal. Janë kryer një sërë veprimesh hetimore dhe aktualisht cështja është akoma në hetim.