Prapaskena

Kryesore

Deputeti Jurgis Çyrbja dorëzon mandatin pasi doli nga dera e SPAK-ut: Do kujdesem për shëndetin

Publikuar: 10/10/2024

Deputeti i Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja ka dorëzuar mandatin, dy ditë pasi u paraqit në SPAK.

Mësohet se Çyrbja, deputet i qarkut Durrës, ka paraqitur sot kërkesën për lënien e mandatit.

Lënia e mandatit vjen disa ditë pas pyetjes së Çyrbjas në SPAK, lidhur me një kallëzim të Edi Palokës së PD-së për abuzim me detyrën gjatë kohës kur ai drejtonte Hipotekën e Durrësit.

Ai largohet nga Kuvendi pak muaj para zgjedhjeve të reja parlamentare të vitit 2025, çka do të thotë se nuk do të jetë në listat e kandidatëve të maxhorancës.

Në një reagim për gazetaren Esiona Konomi, Çyrbja thotë se nuk ka asnjë shqetësim të natyrës ligjore, por ka nevojë të kujdeset për shëndetin.

“Kam nevojë për kohë. Do të kujdesem për shëndetin tim. Nuk kam asnjë shqetësim të natyrës ligjore.

Dorëheqja nuk lidhet me thirrjen në SPAK. Ishte një vendim që e mora në vlerësim të situatës sime personale”, thotë ai për Report TV.

Çyrbja u zgjodh për herë të parë si ligjvënës në radhët e PS në vitin 2017. Ndërkohë, në vitin 2021 ishte i treti më i votuari i qarkut Durrës me 6583 vota.

Më datë 8 tetor, Çyrbja u pyet për 5 orë në SPAK për një kallëzim të Partisë Demokratike. Sipas burimeve ligjvënësi i PS u pyet për një kallëzim të Edi Palokës në zgjedhjet e vitit 2021, ku e akuzon për shpërdorim detyre, në kohën kur drejtonte Hipotekën e Durrësit, pa e marrë ende mandatin e ligjvënësit.

Në atë kohë drejtues politik i qarkut Durrës, Edi Paloka, ka çuar në SPAK Çyrbjan për “shpërdorim detyre”, për firmosjen brenda të njëjtës ditë të dy praktikave për të njëjtën pronë, por në dy emra të ndryshëm, duke realizuar kështu mbivendosje prone.  



Më të lexuarat