Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e Jamarbër Malltezit për çështjen e privatizimit të kompleksit “Partizani”.
Avokatët e Malltezit i ishin drejtuar me kërkesë Gjykatës së Lartë për të prishur vendimin e Apelit të Posaçëm të datës 28 qershor 2024 që e la atë në masën arrest shtëpie.
Gjykata e Lartë ka vendosur mospranimin e rekursit të paraqitur nga Malltezi.Avokatët e ish-kryeministrit dhe Malltezit, iu drejtuan Apelit të Posaçëm lidhur me informacionin dymujor të SPAK-ut për hetimet.
Ata kërkuan shuarjen e masës së sigurisë “arrest shtëpie” të vendosur nga gjykata.
Por Apeli la në fuqi masat e GJKKO-së dhe si rrjedhojë edhe Gjykata e Lartë “vulosi” vendimet e dy shkallëve më poshtë.
Kësisoj, Malltezi do të vazhdojë të qëndrojë në masë arresti shtëpie teksa dosja për kompleksin Partizani tanimë ka mbërritur për gjykim në GJKKO.
Berisha dhe Malltezi akuzohen nga SPAK për “korrupsion pasiv të kryer në bashkëpunim” për privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Prej 30 dhjetorit, ish-kryeministri Sali Berisha ndodhet në masë arresti shtëpie.