Prapaskena

Krim & Korrupsion

Guvernatori Sejko e ministri Petrit Malaj ping-pong me çështjen e mikrokredive. Kush po mashtron? 100 mijë të mashtruarve do t’u japë sqarime një person i vetëm caktuar nga AAPSK

Publikuar: 04/09/2024

Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi sot në një konferencë për mediat se çështjes së “mikrokredive” duhet t’i përgjigjet Banka e Shqipërisë, pasi është ajo që monitoron aktivitetin e institucioneve financiare jobanka. Zgjidhjen e skandalit ai e adresoi te përmirësimet rregullative që duhet të bëhen si nga Ministria ashtu dhe nga Banka e Shqipërisë.

Guvernatori Sejko, pas plasjes së skandalit, doli disa herë në prononcime mediatike në përpjekje për të justifikuar mashtrimin galopant. Ai deklaroi se dy shoqëritë MCA dhe Final do të monitoroheshin nga Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Drejtësisë duke caktuar një likuidator. Sipas tij, të mashtruarit nuk ishin 100 mijë, por rreth 11 mijë, dhe ata do të sqaroheshin.

E vërteta është ndryshe. Prokuroria sekuestroi dy shoqëritë MCA dhe Final dhe arrestoi pronarët. Të gjitha asetet e MCA dhe Final u bllokuan dhe u inventarizuan nga policia dhe jo nga likuidatori si mashtroi Sejko publikisht.

Më shumë se 25 000 dosje kredish u gjetën nga oficerët e policisë pas një muaji inventari vetëm në zyrat e MCA. Procesi i inventarizimit u ndal sepse mashtrimi disavjeçar kërkonte jo pak por 50 policë të punonin natë e ditë në labirinthet e MCA për të zbuluar sasinë e vërtetë të dokumenteve. Kete tha një punonjës policie qe s’donte të identifikohej, e që mori pjesë në sekuestrimin e zyrave të MCA.

Prokuroria e Tiranës ia kaloi me vendim ruajtjen e zyrave dhe çdo materiali që u gjet brenda tyre Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK).

AAPSK është një institucion që varet nga Ministri e Brendshme dhe drejtohet nga një kryeadministrator. Në total, ka 14 punonjës përfshirë shoferë e pastrues.

Më 22 korrik 2024, nga kryeadministratori i AAPSK u emërua Dorina Jano për administrimin e MCA dhe Final. Pasi ajo u “tremb” nga përgjegjësia dha dorëheqjen.

Një javë më vonë u emërua Indrit Karaj. Karaj, një ish-drejtues i Tatimeve Elbasan dha dorëheqjen nga kryetatimor i qytetit pas përplasjeve të klaneve të PS në Elbasan dhe u “strehua” përkohësisht tek AAPSK.

Indrit Karaj është emëruar si administrator për të sqaruar jo pak, por 100 mijë të mashtruar nga MCA dhe Final. Nëse këtë nuk e bëri dot Prokuroria per disa vjet, nuk e beri as Banka e Shqipërisë me Ministrinë e Drejtësisë që e morën përsipër, si do ta bëjë një administrator i vetëm?

Këtë përgjigje duhet t’a japin Guvernatori Sejko dhe ping-pongisti i ri i financave, Malaj, kur t’i pyesë SPAK.



Më të lexuarat