Aktorja e famshme amerikano-australiane, Nicole Kidman, në moshën 57-vjeçare luan në një nga filmat më erotikë të karrierës së saj. Ajo sjell skena tepër të nxehta me filmin “Babygirl,” një dramë erotike që do të shfaqet pas disa ditësh në Festivalin e Filmit në Venecia. Por Kidman shfaqet e mërzitur për ato që ka xhiruar dhe nuk do të marrë pjesë në premierën e filmit të saj. Në një intervistë të fundit, ajo thotë: “Më kanë ndikuar shumë në personalitet ato skena… kanë qenë nga më të vështirat e karrierës sime. Nuk doja t’i bëja, por u detyrova… u ndjeva shumë e ekspozuar, si aktore, si grua, si qenie njerëzore. Mendoj që nuk dua të më prekin ashtu…”.
Halina Rein, regjisorja holandeze e filmit “Babygirl”, ka gjetur aktorin 28-vjeçar anglez, Harris Dickinson, për të luajtur skenat përvëluese me Nicole Kidman në filmin e saj, që pritet të trondisë themelet morale të familjes tradicionale, moshën dhe shoqërinë maskiliste.
Kidman luan rolin e një gruaje të suksesshme në biznes, e martuar me “Antonio Banderas” një burrë i suksesshëm, por që kërkon më shumë se flirtin me një djalosh të ri, i cili është i etur për karrierë dhe seks.
Drama erotike pritet me shumë kureshtje nga opinioni artistik dhe jo vetëm. Nicole Kidman ka një karrierë brilante dhe pasuri prej 695 milionë dollarësh. Ajo është martuar dy herë, me aktorin Tom Cruise dhe vazhdon martesën me Keith Urban, këngëtarin neozelandez. Ka katër fëmijë, dy të adoptuar. Në jetën e saj numërohen disa “relationships” me aktorët Markus Graham, Tom Burlinson, Jude Law, apo muzikantin e njohur Lenny Kravitz.
Kidman, në vitin 1994, u emërua Ambasadore e UNICEF-it dhe në 2006 si ambasadore e OKB-së. Ajo bëri një tur në Kosovë në 2006 në përkrahje të grave të dhunuara gjatë luftës. Ka qenë imazhi i Chanel, Omega, Jimmy Choo, Etihad Airways dhe Balenciaga.
Me provokimin erotik dhe psikologjik që sjell me filmin “Babygirl,” Kidman mund të turbullojë ujëra të fjetura morale edhe në Shqipëri, ku ka plot gra 50-60 vjeçare të suksesshme në biznes dhe politikë, të martuara, të cilat janë në gjendje të bien në “dashuri” të zjarrta me djem karrierista të etur për sukses dhe para. “Babygirl”-et shqiptare mund të gjejnë arsye të forta për të shkërmoqur themelet e ndryshkura të shoqërisë maskiliste shqiptare me daljen e filmit të Nicole Kidman.