Prapaskena

Kryesore

Lirimi nga burgu, katër gjyqtarë të Kushtetueses pro Lefter Kokës: Ju cënua e drejta

Publikuar: 23/06/2024

Katër anëtarë të Gjykatës Kushtetuese kanë qenë pro kërkesës së ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, për shfuqizimin e dy vendimeve të Gjykatës së Lartë, që i refuzuan lirimin nga qelitë e paraburgimit.

Sipas tyre, në gjykatat më të ulëta, Kokës nuk i janë respektuar të drejtat që i garanton Kushtetuta personave të paraburgosur, ose dënuar, që kërkojnë liri për arsye shëndetësore.

Qëndrimi i anëtarëve Marsida Xhaferrllari, Fiona Papajorgji, Sonila Bejtja e Sandër Beci, zbardhet në mendimin e pakicës, në vendimin e Kushtetueses, të siguruar nga A2CNN, ku 5 anëtarët e tjerë, në shumicë, vendosën të rrëzojnë ankimin e bërë nga ish-ministri Koka.

Në thelbin e ankimit kushtetues të ish-zyrtarit të fajësuar nga Gjykata e Posaçme për aferën e inceneratorit të Fierit dhe Elbasanit, nuk ka qenë masa e sigurisë “arrest në burg”, por mënyra se si është trajtuar nga institucionet publike dhe gjykatat gjatë paraburgimit, kur ato i kanë refuzuar kërkesën për zbutje të masës për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore. Në përfundim, Koka i kërkonte Kushtetueses shfuqizim të dy vendimeve të Gjykatës së Lartë të 23 shkurtit 2023 dhe kthimin e çështjes për rigjykim po në këtë gjykatë, kërkesë që iu rrëzua. Duke nënvizuar se personit që i është hequr liria, ka të drejtën e trajtimit njerëzor dhe respektimit të dinjitetit.

Katër gjyqtarët kushtetues në pakicë kanë vlerësuar se në rastin e Kokës, gjykata më të ulëta kanë gabuar në trajtimin e ligjit. Sipas tyre, edhe pse e kanë konsideruar si jo bindës një akt-ekspertim të Mjekësisë Ligjore, që fliste për “gjende veçanërisht të rëndë” të Kokës dhe rrezik të shëndetit të tij në izolim, gjykatat nuk kanë kërkuar një ekspertim të ri, që do të përcaktonte nëse ekzistonin kushtet për zëvendësim të masës së sigurimit.

Vlerësojmë se autoritetet shtetërore dhe gjykatat kanë dështuar në përmbushjen e detyrave të tyre për respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të kërkuesit në përputhje me garancitë kushtetuese, duke vënë në dyshim mbi të gjitha trajtimin njerëzor të të paraburgosurit”.

Ish-ministri Lefter Koka qëndron në qeli prej dhjetorit 2021. Aktualisht ai po kundërshton në Apelin e Posaçëm dënimet me 6 vjet e 8 muaj burg për inceneratorin e Fierit dhe atë me 5 vjet e 8 muaj për inceneratorin e Elbasanit.

Ndërsa në dhjetor 2023 ndaj tij u caktua një mase e tretë sigurie “arrest në burg” për llogari të hetimit të inceneratorit të Tiranës./ A2CNN



Më të lexuarat