Prapaskena

Politikë

Argita Malltezi përçan Rithemelimin

Publikuar: 25/05/2024

Gatishmëria e shprehur nga Argita Malltezi për t’u angazhuar me kohë të plotë në politikë, pa përjashtuar më si dikur as drejtimin e Partisë Demokratike, ka sjellë reagime të ndryshme të grupit parlamentar.

Të pyetur nga A2CNN, Ferdinand Xhaferri është mes atyre që hapur kundërshtojnë idenë e kalimit të lidershipit nga Sali Berisha te e bija.

“E para njëherë është trashëgimia politike, që nuk është gjë pozitive. E dyta Berisha ka qenë kryetar, presidenti, kryeministër dhe në mënyrë të padiskutueshme brenda kësaj PD-je të mbetur është një garë e pabarabartë nëse do konkurrojë me çdo individ.

Si mundësi e hapur është, por nisur nga këndvështrimi tjetër se çfarë i duhet sot PD-së dhe opozitës mendoj nuk është një skenar që ka shanse që mundtë ekzekutohet me sukses dhe këtë gjë e kupton më mirë zonja Berisha.”

Nga grupi i deputetëve që mbështet Gazment Bardhin, nënvizohet nevoja për garë të ndershme.

“Përmes garës të gjithë janë të mirëpritur. Duhet një garë e ndershme dhe e drejtë. Unë besoj se demokratët janë aq të ndërgjegjshëm për ta bërë një gjë të tillë”, tha Zheni Gjergji.

Më të butë në qëndrime janë ata që njihen si mbështetës të Berishës.

Çdokush lejohet të garojë. Gara është e ndershme kur plotësohen kushtet, nëse të gjithë do të jenë të barabartë. Çdo anëtarë i PD është i lirë të kandidojë. – A është trashëgimi politike? -Nëse fiton… por ajo e meriton”, u shpreh Albana Vokshi.

“Demokracia do të thotë votë, kushdo të  futet të votojë, të dalë dhe të fitojë. Garat i bëjnë mirë demokracisë”, deklaroi Asllan Dogjani.

“Këtu ndryshon PD nga Partia Komuniste, Socialiste, se në këtë parti mund të kandidojë gjithsecili”,tha Xhelal Mziu.

Të tjerë, i shmangen mbajtjes së qëndrimeve. “Ne kemi kryetar Sali Berishën, kur të hapet gara flasim”,pohoi Ina Zhupa.

“Unë nuk e kam dëgjuar këtë deklaratë, por një herë tjetër do të përgjigjem për të gjithë zhvillimet në PD”, tha Jorida Tabaku.

Belind Këlliçi ishte i pari nga njerëzit pranë Berishës, që u pozicionua hapur kundër trashëgimisë së lidershipit.

“E bëmë njëherë një gabim, me dikë që u vendos aty në formën e një trashëgimtari dhe ju fal drejtimin e Partisë Demokratike. Nuk e ka më luksin Partia Demokratike të trashëgojë askush pozicionin e drejtuesit të mëparshëm”, nënvizoi ai.

Edhe deputeti Dashnor Sula është shprehur kundër, duke e cilësuar si goditje ndaj opozitarizmit.



Më të lexuarat