Prapaskena

Analizë

Qentë e egër që shqyen dy të rinjtë e TVSH-së

Publikuar: 23/05/2024

Nga Edmond Arizaj

Nuk e dija që gjindja shqiptare ishte kaq namusqare e historisë. Nuk e dija që kishte kaq ndjeshmëri për artikulimin e saktë të Aushvicit a njohjen me themel të Holokaustit.

Wowww! E njëjta turmë amorfe që e di “Iliadën” dhe personazhet e saj për histori, e njëjta turmë amorfe që e di se Skënderbeu është nga Kruja, e njëjta turmë amorfe që e di varrin e Ali Pashës në Tepelenë, e njëjta turmë që nuk e di kush bëri luftën në Shqipëri kundër fashizmit dhe nazizmit…

Kultura e madhe e këtyre që besojnë e shkrihen pas lloj lloj delirantësh që qypat e dikurshëm të ullinjve prodhuar në Durrës a Lezhë na i nxjerrin me origjinë pellazge, apo Uashingtonin e shpjegojnë në shqip: Ua-shih-Tonin.

Linçimi i dy të rinjve nuk tregon gjë tjetër veçse mjerimin tonë të përgjithshëm dhe dëshirën e mundimshme për të gjetur dikë ku të shfryjmë gjithë frustrimet tona. Vërsulja mbi ta si qentë e egër, është e vërteta e pështirë e karakterit të pabesë që kemi, kur shkelim me këmbë këdo që është në vështirësi, pa u munduar të kuptojmë njëherë, të dëgjojmë, të mësojmë, apo ajo më e vështira të mëshirojmë, sepse për empati s’bëhet fjalë me bijtë e shqipes.

Ndodhin llahtara në emisionet shqiptare, llahtara të vërteta, me njerëz që jo vetëm flasin llahtarira, por në prapaskenë edhe bëjnë llahtarira, por turma e qenve të egër që presin gjahun nuk shqyjnë, vetëm sa lehin.

Mos të flasim për portalet që me aq dëshirë ua hodhën turmave dy kolegët…a i kanë parë vallë ndonjëherë gafat dhe padijen e theksuar të ç’ka botohet herë pas here në faqen e tyre?! (thotë një fjalë e vjetër: Shih halenë tënde njëherë, pastaj shaj të tjetrit).

Mezi presin sa tjetrit t’i rrëshkasë këmba, të ketë një ditë të keqe, a vetëm sa i pari të hedhë gurin e parë si i moralshëm i madh. Jetojnë mes pisllëkut e mizerjes njerëzore, e shënjestrën e vetme për të goditur gjejnë dy të rinj, “krimi” i vetëm i të cilëve ishte mosdija.

Ku ishin mor aman këto turmat që i shqyen ata të rinj, kur u shkatërrua arsimi shqiptar, tetëvjeçarja, gjimnazi, universiteti? Ku janë mor këto turmat e kulturuara linçuese, kur i tallin përnatë nga ekranet me përralla të Sheherezades?

Në vend të mbylljes: Televizioni dhe ata që dalin atje, janë pasqyra e realitetit, moralit, kulturës dhe vetëdijes së shoqërisë. Secili prej nesh mund ta heqë mënjanë prapanicën e tij sa të dojë, por është pjesë e së gjithës, me veprimet, apo mosveprimet e tij.

Hajt njatjeta!



Më të lexuarat