TIRANË- Klodian Skënderi, avokati i dhëndrit të ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi e ka cilësuar të paligjshëm vendimin e sotëm të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) që la në burg Malltezin.
Sipas tij nuk mund të akuzosh dike sepse është trashëgimtar i ligjshëm i një familje të mirënjohur tiranase. Avokati shtoi se me këtë vendim GJKKO po cënon parimin e sigurisë juridike.
Klodian Skënderi: Nuk ka vepër penale. Nuk mundet të aludohet me anë të ligjeve dhe VKM-së që nuk janë kundërshtuar në kohë. Kemi qëndrim mohues ndaj akuzave. Për aq sa kemi parë të akuzosh dikë sepse është një trashëgimtar i ligjshme i një familje të mirënjohur tiranase siç është Begeja, është shumë e guximshëm, standardi i provueshmërisë është i ulët. Me këto aludime po cenohet parimi i sigurisë juridike.
Jamarbër Malltezi, dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha është arrestuar dy ditë më parë në aeroportin e Rinasit pasi akuzohet nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për “Korrupsion pasiv” dhe “Pastrim parash” në lidhje me dosjen “Partizani”. Sipas akuzës, Malltezi ka shfrytëzuar postin e vjehrrit të tij, Sali Berisha, atëherë kryeministër për të marrë pronat në ish-kompleksin sportiv “Partizani”. Ndërkohë pas vendimit për arrestimin e tij, GJKKO ka vendosur sekuestro preventive për disa pasuri në emrin e tij, mes tyre dhe vila në zonën e Gjirirt të Lalzit.
Nën hetim për këtë dosje janë dhe kreu i PD-së Sali Berisha dhe biznesmeni Fatmir Bektashi. Të dy nën masën e sigurisë të “Detyrimit të paraqitjes”. Klubi sportiv “Partizani” ishte kompleksi më i rëndësishëm sportiv në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes por kaloi në “duart” e dhëndrit Jamarbër Malltezi. Ky i fundit si trashëgimtar i 140 m2 tokë, arriti të merrte 35 % të sipërfaqes falë një marrëveshje suksesi me trashëgimtarët e tjerë. Si përfundim, qendra më të madhe sportive, me përmasa 26.000 metra katrorë, u pagua vetëm 14.000 euro