Prapaskena

Pa kategori

‘Lufta’ për grupin parlamentar, Basha largon 11 deputetë, mbështetës të Berishës! Shkresa i shkon Kuvendit (EMRAT)

Publikuar: 28/09/2023

Lulzim Basha largon nga grupi parlamentar i PD 11 deputetë të rreshtuar në krah të Rithemelimit të Sali Berishës.

Vendimi, i diskutuar që në mbledhjen e parë të kryesisë pas rikthimit në krye të Partisë Demokratike të Bashës, por i vulosur të hënën në mbrëmje, lë jashtë grupit parlamentar të gjithë deputetët e Rithemelimit, ndërsa pjesë e tij zyrtarisht do të jenë deputetët mbështetës të Bashës dhe Gazment Bardhit.
Shkresa, e depozituar tashmë në kuvend, e njofton këtë të fundit se grupi parlamentar i PD tashmë do të ketë vetëm 24 deputetë. Dokumenti, në emër të grupit parlamentar është firmosur nga Lulzim Basha.

Ky vendim i kryedemokratit vjen në mesin e debatit se kë do të njohë Kuvendi zyrtarisht kryetar grupi: Flutura Açkën e deleguar prej tij, apo Gazment Bardhin që ka aktualisht mbështetjen e shumicës së deputetëve të opozitës. Nëse kuvendi njeh këtë dokument të Lulzim Bashës, raporti i mbështetjes së deputetëve ngushtohet, pasi në mesin e 24 deputetëve, 16 rezultojnë mbështetës të Bardhit dhe pjesa tjetër mbështetës të kreut të PD.
Që prej nisjes së konfliktit brenda Partisë Demokratike, nga grupi i PD janë përjashtuar gjithsej 20 deputetë. Fillimisht Basha përjashtoi me vendim të 9 shtatorit të vitit 2021 Sali Berishën dhe pas dhunës së 8 janarit Flamur Noka, Edmond Spahon, Albana Vokshin, Agron Shehajn, Oerd Bylykbashin, Tritan Shehun, Luan Bacin si dhe Belind Këlliçin, që tashmë është jashtë parlamenti.



Më të lexuarat