Prapaskena

Pa kategori

Prokurori i SPAK zbulon strategjinë: Pritëm që Ilir Rrapaj të vinte në Shqipëri, nëse do prangosnim ish-zv.ministrin ai do largohej

Publikuar: 17/08/2023

Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar, ka vënë nën hetim ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqja si dhe atë të Financave, Shkëlqim Cani, lidhur me koncesionin kontrovers të sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale.

Ndërsa, në pranga ranë ish-zv. Ministri Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj në zbatim të masave të arrestit të firmosura nga Gjykata e Posaçme thuajse dy muaj më parë.

Prokurori i kësaj çështje, Edvin Kondili, ka thënë për BIRN se ekzekutimi i masës u bë me vonëse pasi biznesmeni Rrapaj nuk ndodhej në Shqipëri. Sipas tij nëse ekzekutonin masën e arrestit për ish zv.ministrit, biznesmeni mund të largohej.

“Ka qenë një taktikë e jona, sepse e dinim që do të vinte edhe personi tjetër nën hetim,” tha ai.

Më tej ai tha se ish-ministrat Ilir Beqja dhe Shkëlqim Cani janë nën hetim për rolin e tyre në dhënien e koncesionit të sterilizimit.

Ish-zv.ministri i Shëndetësisë Klodjan Rrjepaj u arrestua sot me urdhër të SPAK për hetimet që po kryhen për koncesionin e sterilizimit të mjeteve kirurgjikale. Mbrëmjen e djeshme është arrestuar edhe biznesmeni që mori tenderin Ilir Rrapaj. Ai u ndalua ditën e djeshme teksa ishte me pushime në jug.

Rrapaj u shoqërua në Drejtorinë Vendore të Policisë së Vlorës, me urdhër të SPAK. Për të ka pasur disa fletë-thirrje nga SPAK për t’u marrë në pytje në lidhje me tenderin e stereliziimit, por që nuk është përgjigjur, çka ka bërë që SPAK në këto kushte të njoftojë Policinë e Shtetit që në momentin që do lokalizojnë personin në fjalë, të bëhet shoqërimi me forcë.

SPAK njoftoi gjithashtu se ishin ekzekutuar gjashtë masa të tjera sigurie ndaj anëtarëve të komisionit të dhënies së koncesionit, dy prej të cilëve me arrest shtëpie dhe katër të tjerë me detyrim paraqitje pranë oficerit të Policisë Gjyqësore.

Drejtuesit ekonomikë dhe juridikë të ministrisë së Shëndetësisë, Saimir Kadiu dhe Marsela Serjanaj u lanë në arrest shtëpie, ndërsa rektori i Universitetit të Mjekësisë, Arben Gjata dhe tre anëtarët e tjerë të komisionit, Petref Mersini, Genc Burazeri dhe Naile Ajazi do të hetohen në masën e detyrimit të paraqitjes.



Më të lexuarat