Ilir Meta duket se e ka lënë në baltë “aleatin” e tij Sali Berisha. Para zgjedhjeve mbeti në selinë e PD, por pas 14 majit, Meta nuk duket gjëkundi. Jo vetëm që nuk ka takuar kreun e “Foltores”, por nuk ka dalë në asnjë emision televiziv dhe ka bërë vetëm dy deklarata të shkurtra, për Kosovën dhe për legalizimin e kanabisit.
Duket sikur Meta po merret me halle të tjera. Në 14 maj e pa se mbështetja e tij ka rënë dhe tani halli më i madh është drejtësia. Ilir Meta dhe bashkëshortja e tij kanë 6 dosje të hapur në SPAK dhe sipas burimeve, po lufton shumë fort në prapaskenë që t’ia hedhë paq. Deri më tani SPAK ka kryer disa arrestime, por nuk janë në ato nivele që populli shqiptar kërkon.
Emri i Metës dhe Berishës ka qenë gjithmonë në krye të listës së personave që duhet të shkojnë para drejtësisë dhe kreu i PL e di këtë gjë. Por ndryshe nga Berisha që shantazhon e anatemon publikisht, Meta ka zgjedhur të punojë nën rrogoz. Sipas burimeve, ai po luan të gjithë gurët që të mos ketë një akuzë penale ndaj tij.
Po ashtu Meta po mundohet të rrijë pranë amerikanëve dhe ka hequr nga emri i tij të gjithë pasurinë. Në SHBA ka shkuar një letër-porosi dhe Meta po mundohet të rrijë afër tyre me shpresën se agjentët e BKH nuk do të trokasin në vilën e tij në Lalëz. Fillimisht u distancua nga Berisha, ndërkohë që pak ditë më parë shtrëngoi duart me ambasadoren Kim në festën e ambasadës për pavarësinë.
Por cilat janë dosjet që kanë alarmuar Metën?
Dosja e parë që ka frikëson ish-presidentin është padyshim ajo e aferës CEZ-DIA. Ndaj tij ka pasur një padi nga juristi Romeo Kara dhe SPAK pak kohë më parë e mori dhe në pyetje Metën. Por vetëm kaq. Ende nuk ka akuzë zyrtare. U fol dhe për dëshmitar të penduar, por hetimet nuk po ecin.
Një dosje tjetër që po hetohet është ajo e lobimeve në SHBA. Dyshimet janë se kur Meta ishte kryetar i LSI ka shpenzuar afro 500 mijë dollarë për lobime në SHBA, para që nuk janë deklaruar askund. Madje kjo shumë ka shumë mistere se nga e ka prejardhjen. SPAK ka dërguar një letër-porosi në SHBA dhe nuk ka asnjë zhvillim në këtë aspekt.
Po ashtu SPAK po heton Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin për ndërhyrjet e shumta estetike. Faturat e publikuara tregojnë se ata kanë shpenzuar afro 300 mijë euro për dobësim dhe ndërhyrje të tjera, por që nuk janë deklaruar në ILDKP shumat në fjalë.
Ndaj tyre ka dhe dy padi, një për fshehje pasurie dhe një për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Padi të bëra nga ish-deputeti Halit Valteri dhe gazetari Adriatik Doçi.
Ndërkohë pak ditë më parë ishte po Halit Valteri që bëri një padi për dokumentet që qarkulluan kohët e fundit se Monika Kryemadhi ka marrë para nga rusët. Janë shumë dokumente dhe shumë fatura bankare që ngrenë mjaft pikëpyetje.
Nuk dihet akoma se çfarë pret SPAK, pasi provat janë aty. Sipas burimeve justifikimi që po nxirret deri tani është se nuk kanë ardhur disa letër-porosi të dërguar jashtë për ndërhyrjet estetike të çiftit Meta dhe lobimet në SHBA. Si duket dhe Meta po shfrytëzon këtë ngrirje të hetimeve me shpresën se do ja gjejë anën dhe t’ia hedhe paq. Por ish-presidenti harron se iku koha e bllokut 700 mijë euro, tani ka ardhur kohë tjetër dhe të korruptuarit herët a vonë do japin llogari. /Pamfleti