Kolegji Zgjedhor vendosi të pushojë padinë e bërë nga Lefter Maliqi, kandidati i “Bashkë Fitojmë” në zgjedhjet e 14 majit në bashkinë Kuçovë, kundër një vendimi të ndërmjetëm të KAS, për refuzimin e rihapjes së kutive, rivlerësimit e rinumërimit dhe kthimin e çështjes për rishqyrtim në KAS.
E njëjta padi ishte bërë edhe nga koalicioni “Bashkë Fitojmë” dhe Kolegji i shqyrtoi në një çështje të vetme.
Sipas Kolegjit Zgjedhor, pretendimet e ngritura në proces nga pala paditëse mund të shqyrtohen në gjykimin në themel të padisë për pavlefshmëri të zgjedhjeve.
“Kemi nisur me ankimimet për këtë bashki, që prej nxjerrjes së kandidatëve. KAS ka hedhur poshtë ankimimet tona më perpara se ne ti dorëzonim.
KAS mori vendime absurde nuk u shqyrtuan fare kërkesat, përfaqësuesit e KAS e kanë shkelur disa herë ligjin duke hedhur poshtë kërkesat pa i shqyrtuar,” tha ai.
Kandidati i Bashkë Fitojmë për këtë bashki, Lefter Maliqi deklaroi se KAS është i detyruar të hapë kutitë pasi provat janë dorëzuar.
“KAS është i detyruar të hapë kutitë, ne i çuam provat dhe as nuk i shqyrtuan ato. Unë besoj dhe vlerësoj te gjykimi i drejtë.
Kemi kapur disa herë votime në grup. Kemi kapur rastet që u braktisën kutitë e votimit. Kemi raste ku kanë qënë 500 fletë votimi se kishin bojë të rrëshqitshme që janë quajtur të rregullta,” tha ai.