TIRANË- Gazetarja Klodiana Lala ka folur lidhur me çështjen e paravë të ish-zyrtares Alda Klosi dhe pastrueses së saj, Rozeta Dobi. E ftuar në emisionin “Kjo Javë” në “News24”, Klodiana Lala tha se bazuar në burimet e saj, nga kjo çështje mund të dalin në dritë të tjera detaje pasi, nga ballafaqimi i tyre janë përmendur edhe emra zyrtarësh. Sipas saj, shumë shpejt do të ketë surpriza.
“Është një procedurë e njohur nga prokuroria në momentin që dy persona akuzojnë njëri-tjetrin do të duhet të bëhet ballafaqimi. Rozeta Dobi pasi refuzoi në tri pyetjet e para pranonte se kujt i përkiste shuma, në fund u dorëzua dhe tha se shuma 125 mijë euro 30 mijë dollarësh 404 mijë euro të tjera të gjetura në tubin e aspirimit në shtëpinë e saj i përkisnin Alda Klosit. Alda Klosi në momentet e para nuk e ishte deklaruar shumën por kishte thënë se i ishin vjedhur para për shpenzime të përditshme, pas arrestimit të pastrueses dha një version tjetër se i përkisnin xhaxhait të saj dhe se ajo po i mbante se ai ishte sëmurë. Nuk pranonte të kishte lidhje me 404 mijë euro. Rozeta Dobi ma pas tha se paratë i përkasin Klosit dhe se ia kishte lënë t’i ruante dhe më kërkoi inskenimin e vjedhjes së banesës së saj.
Edhe pse nuk thuhet mua nga përgjime më rezulton se Havier Dobi ka marrë dhe ka prishur paratë. Ky ka qenë mesa duket edhe konflikti mes grave, ballafaqimi mes tyre zgjati disa orë. Prokuroria është duke kryer shumë veprime dhe është duke hetuar edhe për disa zyrtarë që Rozeta Dobi ia ka nxjerrë gjatë dëshmive të marra më pas. Nga informacionet që kam këto persona janë përgjuar. Dyshimi është që janë para korrupsioni, por për çfarë konkretisht? Ballafaqimi duhet që të kryhej, por prokuroria duke i patur përballë dhe fakti që po mbahet sekret, nga informacionet që kam unë, do të ketë surpriza,”-tha Klodiana Lala.
Gjatë rrëfimit, ish-zyrtarja Alda Klosi tregoi se ka vendosur t’i qëndrojë besnike versionit të saj të mëhershëm, se në shtëpinë e saj janë vjedhur 120 mijë euro 30 mijë dollarë dhe disa bizhuteri, ndërsa dyshimet thotë se i kishte të pastruesja Rozeta Dobi. Ajo iu tha hetuesve se paratë janë të xhaxhait të saj, përkundër kontradiktave që ka me rrëfimin e të vëllait. Ndërsa, këmbëngul se shuma prej 404 mijë eurosh dhe 8500 dollarë që u zbuluan në tubin e aspirimit në shtëpinë e pastrueses nuk i përket asaj, pasi nuk ka disponuar asnjëherë shuma të tilla. Mbi Alda Klosin rëndojnë tre akuza, pastrim parash, fshehje të pasurisë dhe deklarim i rremë në hetuesi.