SAVONA- Një ton kokainë është kapur në portin e Savonës në Itali. Droga ishte fshehur në pjesën e zhytur të anijes tregtare dhe u gjet nga zhytësit. Sipas mediave italiane, poshtë anijes u gjetën dhe u sekuestruan 741 pako me kokainë, të fshehura me zgjuarsi në “karinat” e motorëve të varkës, me një peshë totale rreth një ton. Ndërhyrja është zhvillimi i një operacioni që më 2 janar çoi në arrestimin e 4 shqiptarëve dhe sekuestrimin në total të 3.5 kuintaleve kokainë.
Pas arrestimit të katër shqiptarëve, Guardia di Finanza kishte mësuar për mbërritjen në portin e Savonës të një ngarkese tjetër me lëndë narkotike në një anije tregtare, me flamur të Hong Kongut, e cila u nis nga porti i Santos në Brazil më 30 dhjetor të kaluar. Kjo është arsyeja pse u vendos monitorimi i ngarkesës, me mjete ajrore dhe detare, pasi ajo kishte kaluar Gjibraltarin. Derisa dje në mëngjes, mbërriti në portiun e Savonës.
Operacioni është pjesë e hetimeve të Fiamme Gialle të Barit – të koordinuara nga Drejtoria e Qarkut Antimafia e kryeqytetit pulian – që synojnë rindërtimin e operacioneve të një shoqate kriminale të dedikuar për trafikun transnacional të kokainës, e cila dyshohet se operon në Italinë qendrore-jugore në bashkëpunim me të krimit shqiptar. Deri më tani emrat e shqiptarëve të arrestuar nuk janë bërë me dije, por në pakot e kokainës, bie në sy një detaj. Logoja. Mbi secilën pako me drogë, është stampuar një kurorë mbretërore që deri më tani nuk është pikasur në asnjë dërgesë tjetër, por që mund të zbulojë shumë gjëra; kod për dërgues, kod për marrësin apo dhe emrin e grupit.