Rikthimi i akuzave dhe marrja në pyetje e ish ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu për tragjedinë e Gërdecit vetëm pak kohë pasi Altin Dumani u zgjodh në krye të SPAK, ka ngjallur shumë diskutime dhe pasiguri skenën politike shqiptare.
Analisti, Nikoll Lesi deklaroi se me Dumanin në krye të SPAK, gjatë këtij viti mund të kemi arrestime në nivele të larta të politikanëve që kanë dominuar skenën politike shqiptarëve gjatë 30 viteve të fundit. I ftuar në Report TV, Lesi tha se Mediu do të ishte ‘peshk i vogël’ krahasuar me arrestimet që pritet të realizohen.
“Mund të them që Arben Kraja për mua është një personalitet që hodhi themelet e SPAK-ut ndërsa konturet e muret, do t’i realizojë Dumani. Siç pamë, Dumani mesa kam dëgjuar, është njeri korrekt, i pakorruptuar dhe besoj se ky vit do jetë viti i prangave deri në nivele të larta. Do ketë ndëshkime dhe penalizime të shumicës së politikanëve të këtyre 30 viteve. Mediu do jetë peshk i vogël në krahasim me ata që mendoj se do jenë përtej Mediut”- u shpreh analisti.
Lesi shtoi se interesat strategjike që SHBA ka ndaj Shqipërisë, kërkojnë që në krye të vendit të ketë një klasë politike të pakorruptuar dhe si rrjedhojë pritet të ketë ndëshkime të politikanëve të nivelit të lartë.
“Mendoj se nuk do ketë limit. Fakti që do kemi pandëshkueshmëri të lartë ndër vite mund të ketë kthim pas të hetimeve por nuk dihet se ku do jetë limit. E rëndësishme është që drejtësia të jetë balancues i dy pushteteve të tjera, që deri më tani nuk kanë qenë në balancë. Unë jam dakord me Lesin edhe me portretizimin që i bëri kreut të SPAK-ut.
Dumani është një lloj prokurori që nëse do i dilte vetvetja përpara në shkelje, do i vinte prangat edhe vetes. Kjo është arsyeja pse në Tiranë ka frikë. Ne ndjejmë frikën dhe dridhjen pikërisht sepse nuk dihet se deri ku do shkojë puna e SPAK-ut me në krye Dumanin. Mund t’ju them se askush nuk është i papërjashtuar. Ky është thelbi i frikës që po ndjejmë në Tiranë”, tha Vangjeli.