Kreu i Njësisë Administrative në Kallmet në Lezhës, Besnik Simoni, është qëlluar me armë zjarri. Simoni ka mbetur i plagosur dhe është nisur me urgjencë drejt spitalit të Lezhës, më pas drejt traumës në Tiranë. Ndërkohë që policia ka blinduar zonën. Pas një sherri në zyrë, Altin Marku ka marrë armën dhe ka qëlluar në rrugë Simonin duke e lënë të plagosur rëndë.
Rreth orës 13.30, në fshatin Kallmet, dyshohet se pas një konflikti verbal të nisur më parë në zyrë, është plagosur në rrugë, me armë zjarri pistoletë shtetasi B. S., me detyrë kryetar i Njësisë Administrative Kallmet, Lezhë, i cili është transportuar menjëherë për ndihmë mjeksore në spitalin e Lezhës. Shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën dhe vijon krehja e saj për të bërë të mundur kapjen e autorit të dyshuar A. M. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, si dhe fiksimin e çdo provë materiale që do t’i shërbejë hetimit, për zbardhjen dhe dokumentin e plotë të ngjarjes”, ka njoftuar policia e Lezhës.