SPAK dhe prokuroria po operojnë me dy standarde në raport me dëshminë e të penduarit Luftar Reçi, i cili ka rrëfyer krime të tmerrshme, duke implikuar përfaqësues të lartë të botës së krimit.
SPAK kërkon ndëshkimin e Emiljano Shullazit, Viktor Bajraktari (Imeraj), Indrit Taullai, Lulzim Berisha, Plarent Dervishaj, Indrit Rusi dhe vetë Luftar Reçit për vrasjen e Vajdin Lamajt, Artan Arsit dhe Klodjan Saliut, bazuar në rrëfimin e detajuar të Reçit.
Por, Luftar Reçi ka implikuar edhe Ymer Lalën në vrasjen Maks Lalës dhe djegien e kufomës së tij me benzinë. Luftar Reçi ka rrëfyer se ka organizuar vrasjen e Maks Lalës me urdhër dhe porosi të Ymer Lalës, i akuzuar nga Sali Berisha dhe Lulzim Basha si personazh i botës së krimit.
Sipas Reçit, Maks Lala ishte dëshmitar i shumë krimeve të Ymer Lalës, ndaj ky i fundit kishte frikë se mos fliste.
Kjo është edhe arsyeja sipas Reçit se pse Ymer Lala urdhëroi eliminimin e Maks Lalës. Çuditërisht, edhe pse dëshmia për vrasjen e Maks Lalës është e detajuar dhe me plot fakte penale, Ymer Lala vijon të jetë i lirë dhe ndoshta i pahetuar.
SPAK duhet të kryejë një hetim se çfarë veprimesh ka marrë prokuroria pas dëshmisë së Luftar Reçit për implikimin e Ymer Lalës.
A janë korruptuar prokurorët për të mos zbatuar ligjin dhe kush ka ndërhyrë. Kujtojmë se nga dosja 184, Ymer Lala komunikonte dhe takonte Edi Ramën. Rama kërkonte ta përdorte në zgjedhje, ndërsa Ymer Lala mund ta ketë përdorur Ramën për t’i shpëtuar ndëshkimit ligjor.
Rrëfimi i Luftar Reçit
Vrasja e Maksim Lalës është urdhëruar nga Ymer Lala. Oferta më është bërë mua nga Ymeri.
Kishte një vit që ma kishte bërë ofertën: Aman më mbaro punë, më mbaro punë, do të ndihmoj. Bëhej fjalë për ndihmë reciproke, pra për këmbim.
Maksi i kishte deklaruar edhe familjes së vet, edhe shoqërisë së vet, që Ymer Lala do që të më vrasë. Madje i kishte lënë amanet familjes së vet, që mua nëse me ndodh diçka, me ndodh nga Ymer Lala.
Pse? Sepse sipas Ymerit, babait i Maksit, i kishte futur në burg babanë në kohën e komunizmit dhe se tani kishte ardhur koha për hakmarrje.
Por, në bisedat që kam pasur me Maksin, pasi Maksi ishte afruar tek ne, nuk ishte kjo arsyeja. Kur Ymeri ishte person në kërkim, Maksi ishte ushtar i Ymerit.
Maksi i dinte shumë gjëra. Maksi ishte rritur dhe kishte filluar të flasë…
Maks Lala është vranë në 9 maj 2005. Kufoma është gjetur e djegur me benzinë. Këtë muhabet e di e gjithë Dibra.
Ka ardhur momenti për të thënë të vërtetën sepse u lodha. Pasi e kam njoftuar unë me mesazh ‘se mbaroi puna nga Puçi’, në nesërmen kam shkuar dhe e kam takuar tek lokali i vet ‘Olimpiku’ në Tiranë.
Aty ndodhej edhe vëllai i vet Fatbardhi. Pasi i kam treguar, pasi ai e dinte se e kisha bërë unë, pasi kisha interesin që edhe ai të mbaronte punën time (për të vrarë hasmin e tij), aq i gëzuar ishte saqë thërriste ‘o babuq, o babuq’, dhe përqafonte vëllain.
Faktet? Po. Ka ardhur në Burrel pas katër viteve, dy herë, Ka ardhur edhe këtu vjet. Dy herë ka ardhur në Peqin. Kam kontaktuar me të vazhdimisht.
Për takimet në burg shënohen gjërat. Kam edhe prova të tjera. Unë i kam dërguar shumë letra Ymerit. Në shumë letra i kam kërkuar llogari: Kujt ia kam borxh këtë burg? Filani a u vra për ty? Pse nuk përgjigjesh.
Një herë me jepte 1 milionë lekë. 7 muaj mbyllte telefonin. Duhej t’i lutesha dy muaj që të më mbushte telefonin. Një muaj që të më jepte 300 mijë lekë.
Ta verifikojë prokuroria përmes telefonit. Para 3 javësh i kam dërguar mesazh në 1 të natës. Kam komunikuar ditë e natë me të, me SMS.
Unë për vetë nuk i kam nxjerrë asnjë pikë gjak Maks Lalës. (e ka vrarë Puçi). Ka një javë që i kam dërguar një letër prokurorit të përgjithshëm, që pas kaq kohësh dua të them të vërtetën.
Nuk kam marrë përgjigje akoma. I kam thënë se do të vë në dijeni edhe ambasadorin amerikan. Unë kam rrëfyer shumë gjëra, që po të këtë drejtësi, duhet me u hap një burg i ri në Shqipëri”. Pamfleti