Këshilli i Sigurimit i OKB është mbajtur në orët e para të mëngjesit të sotëm për t’i bërë thirrje Rusisë që të tërhiqej nga planet për pushtimin e Ukrainës. Por më kot, në një kohë që ambasadorët e vendeve të huaja flisnin në takimin e Këshillit të Sigurimit, presidenti Putin doli në deklaratë për mediat dhe njoftoi fillimin e operacionit ushtarak.
Shqipëria u bë pjesë zyrtare e Këshillit të Sigurimit pak kohë më parë, si anëtare e përkohshme. Në takimin e sotëm ka folur dhe ambasadori shqiptar Ferit Hoxha, i cili i ka bërë thirrje Rusisë nga ajo që ai e quajti “marrëzi”. Sipas Hoxhës, kjo ishte një luftë në zemër të Europës për të cilën Federata Ruse do të mbante përgjegjësi.
Pjesë nga fjala e ambasadorit shqiptar në OKB, Ferit Hoxha:
Realiteti në terren konfirmon atë që kanë pritur disa prej nesh. Rusia ka thënë diçka dhe ka bërë diçka tjetër. Ka thënë se trupat janë larguar por më pas janë shtuar. Ata po pushtojnë një fqinj të paprovokuar dhe me të dhëna të fabrikuara. Problemet e Rusisë nuk kanë të bëjnë me zgjerimin në NATO.
Ky është një konflikt mes Rusisë dhe ligjit ndërkombëtar. Kjo ka të bëj me oreksin e Rusisë. Kjo është një orë e errët jo vetëm për Ukrainën dhe gjithë komunitetin ndërkombëtar. I bëjmë thirrje Federatës Ruse që të heqë dorë nga këto veprime shkatërruese. Të tërhiqet nga kjo marrëzi dhe të mos vazhdojë më tej.
Ne i bëjmë thirrje vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit që të mbrojnë integritetin territorial të Ukrainës. Rusia është njoftuar që do të jetë përgjegjëse për humbjet e jetëve të pafajshme. Kjo është një luftë në zemër të Europës.
Shqipëria si vend i përkohshëm në Këshillin e Sigurimit, theksojmë mbështetjen e sovranitetit territorial të Ukrainës. Mirëpres përfaqësuesin e Ukrainës në këtë takim, dhe i përcjell atij dhe popullit ukrainas, se ata nuk janë vetëm. Ne qëndrojmë me ta dhe në solidaritet për të jetuar të lirë.