Prapaskena

Inceneratorët/ Rama dëshmon sot në 12:00 në komisionin hetimor, poston foto nga transformimi i menaxhimit të mbetjeve: Qytetet u shëruan nga gangrena që ishin, mezi po pres të shkoj

Publikuar: 23/02/2022

Kur priten edhe pak ditë nga përfundimi i Komisionit Hetimor për Inceneratorët, sot do të dëshmojë në komision në orën 12:00, kryeministri Edi Rama. Duke i paraprirë dëgjesës së tij në komision, Rama ka postuar edhe disa foto nga kodrat ku hidheshin plehrat më parë në Tiranë, Fier, Durrës dhe Elbasan duke treguar transformimin që kanë pësuar këto qytete përmes impianteve të përpunimit të mbetjeve.

“Mirëmëngjes dhe me gangrenat e fushë-kodër plehrave të Elbasanit, Fierit, Durrësit e Tiranës, të cilat i shëruam përfundimisht, përmes impianteve moderne të përpunimit të mbetjeve, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

Vetë kryeministri Rama dje nga Durrësi, tha se me këtë komision u krijua mundësia për ata që duan të dëgjojnë dhe jo të shikojnë.

“Me atë komisionin të paktën u krijua një mundësi për ata që duan të dëgjojnë dhe jo të shikojnë. E vërteta është diçka krejt tjetër, pasi s’po flas më gjatë për këtë se mezi pres që të shkojë nesër. Po s’patët ndonjë gjë më të mirë për nesër, më ndiqni”, tha Rama.

Opozita ka përdorur si kartën e saj më të fortë në betejën opozitare hetimet për inceneratorët, që i quan një aferë kriminale.  Nga ana tjetër Lulzim Basha pak ditë më parë, kërkoi përkushtimin e deputetëve dhe që të sigurohen të kenë vëmendjen maksimale ditën që do të dëshmojë në komisionin hetimor Kryeministri Rama.

Para komisionit hetimor deri tani kanë dëshmuar emra shumë të lartë të qeverisë socialiste, si ministrja Belinda Balluku, ministri Arben Ahmetaj, ministri Damian Gjiknuri, sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë Engjëll Agaçi. Po ashtu dëshmi para komisionin ka dhënë edhe kryetarja e bashkisë së Durrësit, Valbona Sako, kryetari i bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja si dhe kryebashkiaku i Fierit Armando Subashi.



Më të lexuarat