Ish-deputeti Tom Doshi, pjesë e listës së zezë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka ndërhyrë në mënyrë energjike tek mediat, për të fshirë lajmin e bujshëm të arrestimit në Turqi të Fatime Reçit, me një çantë të mbushur me florinj dhe bixhuteri të vjedhur. Ndërhyrja e tij ka shkaktuar habi.
Po pse Tom Doshi është angazhuar për të zhdukur lajmin mbi Fatime Reçin?
Fatime Reçi është vjehrra e Endrit Dokles, ish numri dy i Bandës së Durrësit. Dokle, i dënuar me burgim të përjetshëm, u lirua nga burgu nga gjyqtarja Enkelejda Hoxha, e cila u arrestuar nga SPAK në sallën e gjyqit dhe më pas u dënua me 3 vite burg për korrupsion.
Tom Doshi bën biznes me Indrit Doklen. Nga një investigim, që në fakt duhet ta bënte SPAK, rezulton që Indrit Dokle ka dy farmaci në Rrugën e Dibrës në Tiranë, në emër të personave të besuar. Dokle duket se furnizon farmacitë tek depot e barnave të Tom Doshit, ku nuk përjashtohet mundësia edhe e ndonje linje kontrabande.
Linja e dytë e biznesit është argjendaria. Indrit Dokle ka një argjendari në Rrugën e Dibrës në emrin e bashkëshortes, Emirjeta Reçi. Jo rastësisht, nëna e saj, Fatime Reçi, u kap në Stamboll me bixhuteri të vjedhura. Nuk dihet nëse Fatime Reçi do t’i sillte bixhutë në Shqipëri për t’i shitur në argjendarinë e së bijës apo e kishin agazhuar ‘skifterat’ për t’i shitur në Turqi.
Gjithashtu nuk dihet burimi se si bashkëshortja e Indrit Dokles ka arritur të sigurojë tre biznese me vlerë qindra mijëra euro. Si Tom Doshi, ashtu edhe Dokle kanë arritur t’ia hedhin drejtësisë.
Dokle u dënua me burgim të përjetshëm për disa vrasje dhe trafik droge, por që nga janari 2020 është i lirë.
Nga ana tjetër, Tom Doshi është akuzuar për një veprimtari të zezë 30-vjeçare, për kondrabandë, shantazh, dhunë, ndërhyrje të paligjshme, tendera klientelistë, mashtrim me pasurinë, fshehje pasurie, kallëzime të rreme, sajesa, inskenime, blerje votash me para etj.
Doshi është shpallur non grata nga SHBA që në prill të vitit 2018 për korrupsion madhor dhe dhunim të rëndë të të drejtave të njeriut.