Gentian Diva, 40-vjeçari i cili mbeti i plagosur ditën e sotme në Mamurras, rezulton me precedent penal. Në vitin 2000, Diva ka grabitur dhe ka qëlluar me armë duke lënë të vdekur një shofer në Mamurras. Ai u arrestua në atë kohë së bashku me Arben dhe Nazmi Divën si dhe me Astrit Lleshin. Këta persona sipas policisë, në urën e Drojës në Mamurras, kanë grabitur me armë duke lënë të vdekur shoferin e një kamioni që udhëtonte drejt Kukësit.
Për këtë krim ai u mbajt fillimisht në komisariatin e Lezhës, aty ku dhe u arratis në vitin 2009. Në atë kohë vetëm 21-vjeç, Diva i dënuar me 25 vite heqje lirie u arratis nga dhomat e izolimit të Komisariatit të Lezhës, duke u larguar nga dhoma e ajrimit në pjesën e mbrapme të Komisariatit ku gjendej bashkë me 4 të burgosur të tjerë.
Diva së bashku me nipin e tij mbetën të plagosur për shkak të një konflikti që nisi për shkak të një vajze. Konflikti ka nisur pasi dy kushërinjtë Kastriot e Armando Lleshaj kanë ngacmuar një vajzë që ishte në shoqërinë e të plagosurve. Duke i dalë në mbrojtje, fillimisht dy grupet kanë debatuar verbalisht me njëri-tjetrin, e më pas, pikërisht në momentin kur Gentian Diva me nipin e tij Andin dhe 39-vjeçarin Andi Skonja po largoheshin me makinë, kushërinjtë i qëlluan me armë zjarri.