Prapaskena

Përplasjet opozitë-mazhorancë për dëshmitarët nën hetim, Tabaku takim me Krajën: Nuk ka mbivendosje të punës së komisionit për inceneratorët me punën e SPAK

Publikuar: 21/02/2022

Nuk ka një mbivendosje të punës së Komisionit Hetimor për Inceneratorët dhe punën që po kryen SPAK’. Kështu tha pas takimit me kreun e SPAK, mëngjesin e sotëm, kryetarja e komisionit Hetimor për Inceneratorët, Jorida Tabaku, pas përplasjeve me mazhorancën  për dëshmitarët, e cila pretendonte se ato nuk mund të dëshmonin pasi janë persona që janë marrë në pyetje nga SPAK.

Tabaku e cila kishte kërkuar vetë takimin me kreun e SPAK, tha se në përfundim të punës së komisionit ato do t’i dorëzojnë SPAK një raport, ndërsa shtoi se do të dorëzojnë edhe dokumentat zyrtare që janë pjesë e hetimit, për ti ardhur në ndihmë drejtësisë.

‘Ju siguroj se deri më sot nuk ka asnjë mbivendosje të punës së komisionit hetimor, nuk ka asnjë cenim të punës sonë, përkundrazi po e mbështesim SPAK, duke bërë provat transparente.’- tha Tabaku.

Opozita ka përdorur si kartën e saj më të fortë në betejën opozitare hetimet për inceneratorët, që i quan një aferë kriminale. Pak ditë më parë lidhur me inceneratorin e Fierit, u morën në pyetje nga SPAK, deputeti socialist Alqi Bllako dhe kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi. Ndërkohë, vijon të jetë në burg, ish-ministri i mjedisit, Lefter Koka. Në fund të punës së këtij komisioni do të dalin edhe 2 raporte një nga opozita dhe një nga mazhoranca për të punën dhe gjetjet e tij.

 



Më të lexuarat