Prapaskena

“Jeni kurioz për jetën time private?” Ahmetaj flet për Zoton, Gugalljen e Mërtirin: S’kam lidhje gjaku, krushqie apo biznesi me ta

Publikuar: 21/02/2022

Pyetjes mbi njohjen me shtetasit Klodian Zoto, Mirel Mërtiri dhe Stela Gugallja, tre njerëzit kryesorë të incineratorëve, nuk i shpëtoi as zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, dëshmitari i fundit në listë në seancën maratonë të Komisionit Hetimor.

Pyetjen ia drejtoi në nisje të dëshmisë kryetarja e komisionit, Jorida Tabaku.

Në përgjigje të saj Ahmetaj tha se për shkak të detyrave që ka mbajtur njeh 95% të biznesit shqiptar, por shtoi se me personat e sipërpërmendur nuk ka as lidhje gjaku, as krushqie apo biznesi.

Tabaku: Zoti Ahmetaj keni njohje me shtetasit Klodian Zoto, Stela Gugallja dhe Mirel Mërtiri?.

Ahmetaj: Faleminderit për pyetjen kam shumë kohë që e pres. Unë jam 55-vjeç dhe kam 31 vjet që punoj, pyetja për mua do ishte kë nuk njeh në Republikën e Shqipërisë. Megjithëse ju po dilni nga puna e objektit të komisionit, po ju jap një përgjigje që nuk i kam as gjak, as lidhje krushqie, as partner biznesi, kemi qenë në të njëjtin qytet, madje madje Zoton e kam të njohur në distancë, as nga afër. Përgjigjja ime është që nuk kam asnjë lidhje gjaku, as lidhje krushqie, as lidhje biznesi, as lidhje varësie pune dhe asnjë lloj lidhjeje.

Ju përgjigja në respektin tuaj dhe pse pyetja nuk është në objektin e komisionit. Objekti i këtij komisioni është procedura. Po ju them që në këtë vend, duhet të pyetet se kë nuk njoh. Pasi unë njoh 95% të bizneseve në këtë vend. Unë kam një jetë që udhëtojë brenda dhe jashtë vendit me shumë miq. Ky nuk është objekt. Juve doni të shuani kuriozitetin për jetën time private? Si përgjigjem unë… jeni duke shuar kuriozitetin për komision.

Tabaku: Keni udhëtuar ndonjëherë me këta persona?

Ahmetaj: Kam udhëtuar me shumë miq. Por ky nuk është objekt i komisionit. Nëse ju doni të shuani kuriozitetin për jetën time private.

Tabaku: E lidh me çështjen e ligjit të pronarëve përfitues.

Ahmetaj: Një ligj që e kam bërë unë kur isha Ministër i Financave.



Më të lexuarat