Prapaskena

Valbona Beqiri nga Italia vjen dëshmon në SPAK, jep rrëfimin për hasmërinë dhe vrasjen e vëllait e babait. Olsi Leku, drejt ekstradimit

Publikuar: 17/02/2022

Një nga dëshmitarët kryesore në dosjen penale, ku të pandehur janë Ervis Bardhi, Etien Cani, Ardjan Çapja, Klajdi Dokoli, Olsi Leku dhe Florenc Çapja, ka udhëtuar nga Italia dhe është paraqitur në Gjykatën e Posaçme SPAK, për të dhënë dëshminë e saj para togave të zeza.

Valbona Pasho (Beqiri), ishte ftuar rreth 5 herë për të dëshmuar në gjyqin kundër të pandehurve të mësipërm që akuzohen nga SPAK, si njerëzit që i vranë brenda në banesën e saj, vëllain, Gentian Beqirin dhe babain, Nezir Beqirin, ngjarje kjo e ndodhur mëngjesin e 15 gushtit 2012 në Elbasan.

Në 5 raste dëshmitarja kryesore është stepur të udhëtojë nga Italia në drejtim të Shqipërisë, për shkak të frikës së një hakmarje të mundshme apo kërcënimi. Por në masa të forta sigurie, dëshmitarja është paraqitur mesditën e djeshme, ku në orën 12:00, ishte planifikuar seanca e rradhës ndaj të pandehurve.

Pyetja e Valbona Pashos, vjen në një moment kur prokuroria e Posaçme SPAK, mësohet se ka marë dhe “OK”-ej nga drejtësia Greke,për ekstradimin në Shqipëri të njërin prej të pandehurve kryesorë të kësaj dosje penale, Olsi alias Jorgo Leku. Leku së bashku me bashkëpuntorin e drejtësisë, Ervis Bardhi, kanë vrarë në banesën e tyre babë e bir. Bardhi ka treguar se ka qëlluar Gentianin, ndërsa Olsi Leku sipas tij,ka vrarë Nezir Beqirin duke e qëlluar me grushta dhe shkelma dhe më pas e ka mbytur me jastëk.

Pritet që në ditët në vijim, Olsi Leku, të ekstradohet nga Athina në Tiranë, për tu bërë pjesë e këtij gjykimi.

Ndërkohë ditën e djeshme, Valbona Pasho (Beqiri), u është përgjigjur pyetjeve të prokurorëve Behar Dibra dhe Sotir Kllapi, rreth ngjarjes së vrasjes të babë e bir, hasmërive dhe konflikteve që kishte familja e saj me njerës të tjerë në Elbasan. Dëshmitarja ka treguar në gjykatë se familja e saj, ka pasur probleme me një fis në Elbasan, që nga fundi i vitit 2015, kur në qytet është vrarë, Sokol Çapja.

Valbona, ka treguar në gjykatë, se pas vrasjes së Sokol Çapjes, ajo dhe vetë familja e saj, qëndronin të frikësuar dhe nuk dilnin lirshëm në qytet. Kjo pasi, i ndruheshin një hakmarje të mundshme. Dëshmitarja ka treguar se veç babait dhe Gentianit, asaj i është vrarë dhe një vëlla tjetër, Saimir Beqiri.

Në gjykata dëshmitarja, ka treguar se një nga të pandehurit, Etjen Cani shkonte pothuajse çdo ditë tek shtëpia e tyre dhe vizitonte Gentianin, pasi konsiderohej si njeri i besuar. Këtij personi dera i hapej sa herë që ai trokiste, pasi ai ishte bërë si të shtëpisë. Por në ditën e varrimit, Etjen Cani, nuk ka shkuar në ceremoni dhe as në drekën tradicionale të familjes dhe shoqërisë, lëvizje kjo që i ka bërë shumë përshtypje dhe që në atë periudhë ka ngjallur dyshime mbi besnikërinë dhe rolin e Canit dhe personat e tjerë, që vinin dhe vizitonin Gentjanin brenda në shtëpi.Pas përfundimit të dëshmisë, Valbona Pasho, është lënë e lirë të kthehet në Itali, ndërsa gjykata ka urdhëruar prokurorinë dhe Policinë e Shtetit, që të gjejë dëshmitaren Joniana Hasani, për të dëshmuar në seancën e 2 Marsit që do zhvillohet në orën 10:00.

Dëshmitarja Hasani,mësohet se është motra e të dënuarit me 25 vite burgim, Armando alias Butrint Hasani, i cili vuan dënimin në burgun e Burrelit për vrasjen e Sokol Çapjes në 2015

 



Më të lexuarat