Prapaskena

‘Zari’ i Henri Çilit drejtor poste, 100 mijë USD dhe shtëpi duke shitur shkrepëse

Publikuar: 14/02/2022

Disa dokumente të siguruara nga ‘Pamfleti’ ngrenë dyshime serioze se kreu i Postës së Tiranës, Shpati Kolgega, ka mashtruar me deklaratën e pasurisë, në përpjekje për të pastruar dhe justifikuar paratë e korrupsionit si ish doganier dhe ish zëvëndësministër i Arsimit.

I njohur ndryshe si investim politik dhe dora e Henri Çilit, kreu Postës, Filiali Tiranë, ka firmosur një deklaratë pasurie, në të cilën deklaron një shtesë në llogari bankare me vlerë 100 milionë lekë brenda vitit.

Një shifër e tillë do të dukej si një lapsus, por shuma në fjalë është përsëritur në një deklaratë të dytë pasurie, dorëzuar prej tij në Inpektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive.

Po cili është burimi i parave? Kreu i postës nuk ka as biznes dhe as paga të atilla për të justifikuar një shumë të tillë. Ai pretendon për një biznes të prindërve në Rogozhinë, por këtu kemi të bëjmë me një tjetër mashtrim, pasi në të vërtetë bëhet fjalë vetëm për një kioskë ku shiten cigare, gazeta dhe shkrepse.

Nga ana tjetër, paga e Kolgegës nuk ka qenë më e lartë se sa 140 mijë lekë, shumë e cila mjafton për të mbuluar vetëm koston e jetesës në Tiranë.

Si mos të mjaftonin llogaritë e pajustifikuara, kreu i Postës së Tiranës posedon edhe një apartament në Tiranë, gjoja me kursime dhe paratë e kioskës.

Një familje e zakonshme shqiptare duhet tē kursejë 30 vjet për të blerë një apartament modes. Drejtori i Rilindjes e blen shtëpinë në Tiranë me 6 vite punë në administratë, si doganier dhe zv/ministër, falë lobimit të Henri Çilit, i arrestuar si sekser.

Duket se drejtori i vogël i postës Shpati Kolgega ka ndjekur rrugën e drejtorit të madh të postës, Ervin Bushatit, cili i ka fshehur 8 pasuri të palujtshme.

Bushati arriti ta mbyllte dosjen dhe t’i shpëtonte dënimit, përmes një prokurori pa Veting, për të cilin do të flasim në vijim. Bushati përfitoi edhe nga fakti që nuk ishte ngritur ende SPAK.

Prej disa muajsh, drejtori i vogël Kolgega dhe drejtori i madh Bushati janë përfshirë në afera të gjithanshme, duke kanalizuar paratë e postës tek një rreth klientele, i cili u ‘ngroh xhepat e uritur’.

Në vijim detaje për veprimtarinë kriminale për bandën e korrupsionit në Postën e Përgjithshme dhe Postën e Tiranës. / Pamfleti



Më të lexuarat